Sipërmarrësja shqiptare në Dubai rrëfen për RTSH 24: Situata është kthyer në normalitet, por stresi mbetet
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për studion e RTSH 24, sipërmarrësja shqiptare që jeton në Dubai, Arjola Disha, ka folur për gjendjen aktuale në rajon pas sulmeve të fundit në Lindjen e Mesme.
“Momentalisht, situata është e qetë dhe nuk ka asnjë shqetësim për momentin. Pas dy ditëve të para, situata është kthyer në normalitet. Shpresojmë që të mos agravojë më tej në ditët në vazhdim,” tha Disha për RTSH.
Duke treguar përjetimet e saj dhe të familjes, ajo shtoi se, “Situata nuk është e thjeshtë, që prej ditës së shtunë kur filluan sulmet. Duke qenë edhe familjare, e përjetojmë me më shumë stres, sepse ndjehet ankthi i të qenit prind. Deri tani duket sikur situata po menaxhohet mirë dhe po bëhet një punë fantastike në këtë drejtim.”
Ajo kujtoi natën e parë të sulmit, kur banorët u paralajmëruan përmes telefonave të fshiheshin dhe të siguronin jetën duke u larguar nga ambientet e ekspozuara.
“Kemi pasur alarm nëpër telefona natën e sulmit, ku na ftonte të fshihemi dhe të siguronim jetën. Pas asaj ngjarjeje, rutina ka ndryshuar dhe jemi bërë më shumë vigjilentë.”
Disha tregoi se ditët e para pas sulmit kanë qenë të mbushura me tension dhe prani të shtuar ushtarake.
“Ditët e para kemi parë shumë avionë luftarakë në fluturim, për të patrulluar situatën.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




