Sipërmarrja shqiptare drejt Europës, Jaka: Të negociohet për kuotat e produkteve shqiptare

Ekonomi | 1 vit më parë

60 për qind e sipërmarrjeve të Shqipërisë zhvillohen në Tiranë.

Në mes të procesit më të shpejtë të bisedimeve të anëtarësimit që ka kaluar ndonjë vend europian, presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, Nikolin Jaka, i tha televizionit publik në emisionin “Kuota” se sipërmarrjet duhet të përgatiten që të mos kthehen vetëm në nënkontraktorë.

“Sipërmarrja kontinentale është një sipërmarrje globale, e cila nëse ti je i papërgatitur në formatin e duhur, thjesht mund të kalosh nënkontraktor, pra, nuk mund të jesh partner dinjitoz i një ekonomie globale në çfarëdolloj sektori. Sfida jonë është që të qëndrojmë fort për të qenë partnerë, pse jo edhe bashkëpunëtorë, për të diversifikuar portofolat financiarë në kontinent,” u shpreh z. Jaka.

Duke besuar se vendi do ia dalë, z. Jaka thotë se projekti i mbështetjes së sipërmarrjeve duhet të jetë shumë agresiv.

“Na duhet durim për të thyer ca barriera ku Bashkimi Europian ka kuota. Pra, janë disa produkte të kuotuara, si ulliri, vaji i ullirit, sardelja e shumë produkte të tjera, që tashmë janë, por do të bëhen sërish me kuota,” deklaroi kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Z. Jaka e sheh me pritmëri të larta pozitive nismën e ekzekutivit për të hapur një bankë zhvillimi. Nga ana tjetër ai beson në suksesin e procesit të nisur nga disa kompani shqiptare.

“Ka shumë kompani shqiptare që e diversifikojnë portofolin e tyre financiar në shumë sektorë të ndryshëm në Evropë, qoftë në sektorin e ndërtimit, të prodhimit e në shumë sektorë të tjerë, duke i dhënë mundësi reale sipërmarrjes që të njohë standardin e Bashkimit Europian, standardin e teknologjisë së lartë, ‘know-how’, të produktivitetit dhe shumë teknika të tjera, që e bëjnë një sipërmarrje të jetë rentabël,” tha z. Jaka.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme