Situata në Gaza, Netanjahu takon Biden dhe Harris në Shtëpinë e Bardhë

Zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris, e cila pritet të jetë kandidatja demokrate në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, zhvilloi, siç u shpreh ajo, bisedime të sinqerta dhe konstruktive me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
“Është koha që kjo luftë të përfundojë,” tha ajo pas bisedimeve ballë për ballë mes tyre në Shtëpinë e Bardhë. Pas takimit me Netanyahun, Harris tha se kishte një angazhim të palëkundur ndaj Izraelit dhe të drejtës së tij për të mbrojtur veten.
Me një ton më të ashpër se presidenti Biden, Harris tha se ajo ia bëri të qartë kryeministrit izraelit shqetësimet serioze për viktimat në Gaza. “Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por edhe mënyra se si e bën këtë ka shumë rëndësi” – tha ajo, duke shprehur shqetësimin për situatën e rëndë humanitare në Gaza.
“Duhet të arrihet një marrëveshje në mënyrë që të mund të kemi një armëpushim për t’i dhënë fund luftës. Të kthejmë pengjet në shtëpi dhe t’i sjellim lehtësimin e nevojshëm popullit palestinez.” – u shpreh kandidatja demokrate. Harris theksoi gjithashtu nevojën për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme. Më herët, kryeministri izraelit u takua me presidentin e SHBA i cili u tërhoq nga fushata e tij për rizgjedhje të dielën. Biden i bëri presion Netanyahut për një armëpushim në luftën 9-mujore në Gazë gjatë bisedimeve të para ballë për ballë që nga takimi i tyre disa ditë pas sulmit të 7 tetorit në Tel Aviv.
“Dua t’ju falënderoj për 50 vitet e shërbimit tuaj për publikun amerikan dhe 50 vitet e mbështetjes për shtetin e Izraelit”,- tha Netanyahu, kur Biden i tha se kishin shumë për të diskutuar. Shtëpia e Bardhë u rrethua me gardhe shtesë sigurie për shkak të protestave kundër vizitës së Netanyahut, ndërsa Dy liderët më herët u takuan edhe me familjet e pengjeve amerikane, që po mbahen nga Hamasi.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




