Situatë problematike nga zjarret në Fier, Çako : Janë angazhuar të gjitha forcat dhe strukturat
Situata e zjarrit masiv në Levan dhe kodrinat e Fierit vijon të mbetet problematike.
Kreu i emergjencave civile, Haki Çako, në një deklaratë për mediat nga terreni, tha se operacionet kanë përfshirë dy helikopterë dhe një avion “Air Tractor”, të cilët po punojnë jo vetëm në Levan, por edhe në zona të tjera të vendit.
Çako shpjegoi se flakët kanë nisur nga fshati Drizë dhe, të ndihmuara nga shpejtësia e erës, kanë përshkruar masive pyjore dhe pemëtari me ullishte, të cilat sipas tij janë të papastruara.
“Ka disa orë që Fieri dhe kodrinat janë përfshirë nga zjarri masiv që ka ardhur nga fshati Drizë. Po operohet me të gjitha forcat nga toka dhe nga ajri me dy helikopterë. Evakuime ka patur nga bizneset, jo nga banesat. Vetëm një banesë e braktisur është përfshirë nga flakët. Zjarri është ndezur nga dora e njeriut. Gjatë natës do të operohet me forcat nga toka”, u shpreh ai.
Kreu i emergjencave theksoi se prioritet mbetet shpëtimi i jetës së njerëzve, ndërsa kërkoi nga organet kompetente që zjarrvëniet e qëllimshme të marrin dënimin maksimal.
“Janë angazhuar të gjitha forcat dhe strukturat, nga toka dhe nga ajri, të gjitha njësitë vendore, të suportuara dhe të mbështetura edhe nga forcat nga ajri me helikopter. Jemi duke punuar për të vendosur përfundimisht në kontroll zjarrin. Natyrisht që, për shkak të turbulencave të erës dhe temperaturave të larta, zjarri ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Po punohet për të evituar çdo lloj problemi që mund të ketë në zonat e banuara dhe me njerëzit. Kjo është një prioritet i padiskutueshëm. Vazhdojmë punën.”
Ai shtoi se pushteti vendor, prefektura dhe bashkia kanë organizuar lëvizjen e njerëzve, duke spostuar punonjësit nga bizneset e rrezikuara, ndërsa në disa raste nuk ka patur evakuime nga banesat.
Çako nënvizoi se papërgjegjshmëria e fermerëve, të cilët shpesh ndezin mbeturina, është një nga shkaqet kryesore që zjarret marrin përmasa të mëdha, sidomos kur ndihmohen nga era.
“Hetimi, identifikimi dhe vënia para përgjegjësisë është detyrë e policisë, e cila duhet të jetë drastike ndaj autorëve të zjarrvënies”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



