“S’jemi tre republika”, Rama kritika për KLGJ e KLP: Rritët pagat pa u konsultuar. Çfarë jeni ju, partia e çekiçave?

Politikë | 2 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vendimin mbi rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kritikuar mënyrën se si është marrë vendimi dhe mungesën e konsultimit me pushtetet e tjera.

Rama e cilësoi situatën si një konflikt të panevojshëm mes pushteteve dhe tha se institucionet duhet të dialogojnë përpara se të ndërmarrin hapa që prekin financat publike. Rama kritikoi KLGJ dhe KLP, duke thënë se po krijojnë një klime konflikti mes pushteteve, ndërsa kërkoi që institucionet e drejtësisë të japin shembullin e respektimit të rregullave dhe dialogut institucional.

Sipas tij, KLGJ dhe KLP janë në krye të administrimit të sistemit gjyqësor dhe nuk duhet të veprojnë në mënyrë të njëanshme.

“Rritje e pagave që kërkojnë gjyqtarët dhe prokurorët, pa kaluar nga Kuvendi, por duke iu referuar një vendimi absurd të marrë nga dy këshillat që në letër janë organet qeverisëse të pushtetit gjyqësor, KLGJ dhe KLP, por që në realitet janë dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi. Dy trupa të mbingarkuara me njerëz, paga dhe shpenzime, por me një produktivitet që lë shumë për të dëshiruar në misionin që kanë në sistemin e pavarur të gjyqësorit.

Reforma në drejtësi është padiskutim e duhura. Koha në dispozicion për të ngritur një sistem të ri dhe transformim tërësor ka qenë e shkurtër, por ky ndryshim epokal ka nisur. Është shqetësuese, e shëmtuar dhe vulgare atmosfera e krijuar nga një konflikt pushtetesh dhe një barrikadim i atij pushteti të pavarur që duhet të garantojë barazinë para ligjit për të gjithë dhe, mbi të gjitha, për vetveten.

Përtej germës së ligjit, duhet të garantojë një shembull kur vjen puna që del nga salla e gjyqit dhe është i organizuar në shoqata për t’i dhënë zë shqetësimeve të trupës në publik. Këtu flasim për një tjetër dimension dhe ky dimension është shumë i rëndësishëm për shembullin që jepet. Unë nuk ta nis nga shoqatat, por dua ta nis te KLGJ dhe KLP, te këto dy trupa, majat e piramidës së sistemit gjyqësor që paguhen jo pak. Janë aty për të administruar punën e gjyqësorit dhe jo për të bërë drejtësi, se për këtë janë prokurorët dhe gjyqtarët. Po si mundet që gjëja e parë që bënë, morën një vendim në mes të verës dhe të nxjerrin një urdhër që është zanafilla e këtij konflikti absurd: që pagat janë këto dhe Thesari të hapë derën”, tha Rama.

Rama tha se hapi i parë duhet të ishte komunikimi mes institucioneve dhe jo përplasja publike. Ai u shpreh se Shqipëria nuk mund të funksionojë si “tre republika”, ndërsa shtoi se KLGJ dhe KLP nuk mund të veprojnë si “partia e çekiçave” dhe të sfidojë pushtetin ekzekutiv.

Kryeministri theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të respektohet, por paralajmëroi se përplasjet, kërcënimet apo “pengmarrja” e pushteteve të tjera të pavarura nuk mund ta bëjë dot askush.

“Le të themi se kanë të drejtë. Për mua nuk kanë, por le të themi. Kjo është mënyra? Kjo është rruga? Ky është shembulli? Kështu kërkohet e drejta, me arbitraritete, në mënyrë të njëanshme, pa u shteruar asnjë nga format dhe hapat e tjerë? Po ku jemi këtu? Çfarë jemi ne këtu? Ne jemi përfaqësues të tre pushteteve të pavarura të Shqipërisë apo tre shtete në konflikt këtu? Çfarë janë këto pushtete? Janë republikat e ndara të një federate që vjen nga lufta etnike dhe fetare?

Si është e mundur që nuk hidhet hapi i parë normal? Krijohet një kontakt, ulen njerëzit në tavolinë dhe themi: kemi këtë shqetësim. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që pushteti ekzekutiv dhe legjislativ as nuk i shkon në mendje të mos e respektojë, por ka edhe një afat, 31 korriku, që nuk u përmbush dot, dhe duam të dimë si keni ndërmend ta respektoni këtë vendim.

Pasi të dëgjonim anën tonë, pastaj mund të vazhdonin të bënin të tyren, si t’u thoshte mendja e tyre, por kështu, me arbitraritete nga shumica që ka bërë reformën në drejtësi dhe ka luftuar për këtë standard trajtimi dhe mirëqenie që është rritur ndjeshëm, gjëja e parë që ju vajti ndër mend është ta sfidoni me një formë kaq brutale: “Vetë Zot, vetë Shkop”. Se çfarë jeni ju, partia e çekiçave? Ato çekiça për çfarë i keni? Për parti, për luftë politike, për të dalë për të kërcënuar autoritetet kushtetuese dhe politike të vendit? Për të kërcënuar ministrin e Financave apo drejtorët e Thesarit? Pse, çfarë janë ata? Roje magazinash pa zot? Si është e mundur që nuk ka një moment të marrëveshjes me arsyen e hapave? Ne mund të mos jemi dakord asnjëherë, por kemi detyrimin ta trajtojmë në mënyrë të civilizuar.

Boll është trajtuar mosdakordësia në mënyrë të paqytetëruar mes partive politike. Çfarë u bë këtu? U shtua edhe një parti politike tjetër tani për të marrë lekë për rroga, për të shumëfishuar pagat e veta krahasimisht me të gjithë të tjerët dhe për t’i çuar ata me diferencë nga i gjithë rajoni dhe për të shkuar në nivelet e vendeve më të zhvilluara të BE-së kështu, tak-fak? Hajde se ka para Thesari dhe të marrim tonat, dhe punë e madhe se çfarë bëhet me të tjerat. Po ku jemi këtu? Si u bëka kështu? Besoj që ky është një rast për të nxjerrë disa mësime dhe sigurisht që ne do të respektojmë plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe do të bëjmë atë që është, sipas nesh, rruga për t’iu përgjigjur edhe kësaj kërkese. Por kërcënime dhe pengmarrje të pushteteve të tjera të pavarura, si ai ekzekutiv dhe ai legjislativ, askush nuk duhet të bëjë”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme