Skandalet vijojnë në patinazhin artistik

Kishte nisur në mënyrën më kontradiktore të mundshme dhe është mbyllur po në të njëjtën mënyrë garimi i talentes ruse të patinazhit artistik, Kamila Valieva, e cila nuk ka arritur dot të sigurojë podiumin në kategorinë e garimit të lirë të enjten në Lojërat Olimpike “Pekin 2022”. 15-vjeçarja ishte dukshëm e mbingarkuar emocionalisht kur e mbylli garimin e saj dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, teksa doli nga pista e akulli, trajnerja e saj, Eteri Tutberidze, ia bëri të qartë se nuk ishte aspak e lumtur me paraqitjen e sportistes.
“Përse u dorëzove”, – u dëgjua ajo t’i thonte në rusisht sportistes së saj, duke vijuar në shpërthimin e saj: “Pse ndalove së luftuari? Ma shpjego… Pse…? Pse u dorëzove pas asaj piruete?”. Kurse ndërkohë që po shpaleshin rezultatet, Tutberidze i vendosi krahun mbi sup sportistes së saj. Në fakt, rrëzimet e saj ishin të pazakonta për Valievën, që kishte mbizotëruar në programin e lirë të femrave, ndërsa duhet theksuar se Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pati deklaruar se, në rast të sigurimit të podiumit nga ana e saj, nuk do të zhvillohej një ceremoni medaljesh.
Po kështu, nuk është zhvilluar një ceremoni medaljesh edhe në garën ekipore, ku Valieva e udhëhoqi Rusinë drejt medaljes së artë olimpike. Ndërkohë edhe kreu i IOC-së, Tomas Bah, është shprehur i tmerruar nga sjellja e trajneres dhe e stafit të patinatores ruse dhe ka premtuar hetim të plotë të çështjes së dopingut të 15-vjeçares, e cila ka statusin e sportistes së mbrojtur, duke qenë nën moshë madhore.
Për këtë arsye, fokusi është zhvendosur tek trajnerët dhe stafi i saj, teksa është vënë në pah fakti se sportistet e stërvitura nga Tutberidze kanë patur karrierë të suksesshme, por të shkurtër, duke u tërhequr nga sporti në moshë të re. Po kështu, edhe mjeku që i ka shoqëruar patinatoret ruse këto vitet e fundit, ka qenë i dënuar më parë për doping teksa kujdesej për sportistët e kanotazhit.
Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe kampionia e re olimpike, Shçerbakova, nuk shfaqi asnjë gëzim, ndërsa fituesja e vendit të dytë, Trusova, ishte dukshëm e tronditur, duke u dëgjuar të shpërthente pas garës me fjalët: “E urrej këtë sport!”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




