Sot përfundon masa e përkohshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Kosovë | 1 vit më parë

Sot (8 gusht) përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ndaloi deputetët e legjislaturës së nëntë të ndërmarrin veprime për konstituimin e Kuvendit. Kjo masë ishte vendosur pas dështimit për të përmbushur afatin 30-ditor të përcaktuar nga Kushtetuesja më 26 qershor.

Pas skadimit të kësaj mase, pritet aktgjykimi i ri i Kushtetueses, i cili do të përcaktojë rrugën për formimin e institucioneve të reja.

Ndërkohë, ambasadat e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë reaguar ndaj situatës, duke kërkuar krijimin e institucioneve dhe respektimin e vendimit të Kushtetueses.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do të respektojë vendimin e ri të gjykatës, pavarësisht përmbajtjes së tij.

Ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr një kërkesë për sqarim në Kushtetuese lidhur me afatin për konstituim, duke shprehur shqetësime për përfshirjen e gjyqtarit Radomir Llaban në shqyrtimin e çështjes. Ajo ka ngritur dyshime për integritetin e tij, duke e cilësuar si një rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës. Osmani ka ftuar deputetët që të kërkojnë vetë zgjidhje nga Kushtetuesja, në mënyrë që gjyqtari Llaban të mos jetë i përfshirë në shqyrtimin e çështjeve të konstituimit.

Gjykata Kushtetuese e vendosi masën e përkohshme pasi tha se po shqyrton dy kërkesat e dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

PDK i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese në fillim të korrikut, duke kundërshtuar procedurat e ndjekura nga LVV për propozimin dhe votimin e Komisionit për votim të fshehtë, si dhe për ndërprerjen e seancës konstituive pas mosmiratimit të këtij komisioni.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nga ana tjetër, ka kërkuar interpretim kushtetues për vazhdimin e seancës pas datës 29 qershor, duke e cilësuar atë si në kundërshtim me aktgjykimin e 26 qershorit dhe Kushtetutën.

Kosova vazhdon të jetë në krizë institucionale, më shumë se pesë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, me 54 përpjekje të dështuara për konstituimin e Kuvendit. /RTK

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme