SPAK dërgon në gjyq grupin e strukturuar kriminal për trafik armësh drejt Britanisë së Madhe

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal të vitit 2024. Kjo çështje lidhet me një grup të strukturuar kriminal të akuzuar për trafikim armësh dhe municionesh drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Në bankën e të akuzuarve janë:
Adulla Hoxhaj, akuzohet për drejtimin e grupit të strukturuar kriminal, trafikim armësh dhe municionesh në tentativë, mbajtje pa leje dhe prodhim armësh në sasi të mëdha, si dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Almir Gjidiaj, akuzohet për drejtimin e grupit të strukturuar kriminal dhe trafikim armësh dhe municionesh në tentativë.
Admir Tutaj, Alban Gjidiaj, Rifat Avdiaj dhe Bojken Turtulli, akuzohen për pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal dhe trafikimarmësh dhe municionesh në tentativë.
Detajet e hetimit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar
Hetimet janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë britanike, Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Ngjarja që solli zbulimin e këtij grupi daton më 10 Prill 2023, kur gjatë skanimit të një furgoni me targa britanike në PKK Port Durrës, u zbuluan 8 pistoleta, 4 krehëra dhe 201 fishekë të kalibrit 9 mm, të fshehura në brendësi të një tavoline druri. Fshirja e numrave të serisë në 6 prej armëve tregonte qartë se ato nuk do të përdoreshin për vetëmbrojtje, por për qëllime kriminale.
Kjo bëri të mundur identifikimin e parë të Franko Gjalpit, dosja e të cilit u dërgua për gjykim dhe ai u deklarua fajtor nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më 6 Nëntor 2024, vendim i lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit më 11 Mars 2025.
Skema e sofistikuar e trafikut
Hetimet e mëtejshme zbuluan se organizatorët kishin krijuar një skemë të sofistikuar. Ata kishin gjetur ambiente të përshtatshme dhe specialistë mobilierie në periferi të Tiranës për të fshehur armët brenda produkteve të drurit, duke shmangur kontrollet policore dhe doganore. Gjithashtu, kishin siguruar persona për zhvendosjen e “porosive” te kompanitë e transportit në Tiranë dhe përdornin gjeneralitetet e rreme si për dorëzuesit, ashtu edhe për pritësit në Mbretërinë e Bashkuar.
Numri i lartë i personave të përfshirë, organizimi i detajuar dhe shpërblimet për çdo transport, kanë bërë që SPAK të konkludojë se ky ishte një grup i strukturuar kriminal, jo një bashkëpunim i thjeshtë.
Hetimet kanë identifikuar rolet e qarta të secilit anëtar.
Grupi kriminal në Shqipëri
Drejtues: Adulla Hoxhaj (koordinonte veprimet me të dy nëngrupet).
Pjesëmarrës: Rifat Avdiaj, Bojken Turtulli, Franko Gjalpi (ndihmës në aktivitetin kriminal).
Grupi kriminal në Mbretërinë e Bashkuar
Drejtues: Almir Gjidiaj (koordinonte veprimet me të dy nëngrupet).
Pjesëmarrës: Admir Tutaj dhe Alban Gjidiaj (pritës të porosive dhe ndihmës).
Arsenali i sekuestruar
Gjatë kontrolleve në Shqipëri, veçanërisht në banesën e Adulla Hoxhajt më 1 Gusht 2024, dhe në banesat e të pandehurve të tjerë, janë sekuestruar një arsenal i rëndë armësh si:
24 armë zjarri pistoletë
1 automatik kallashnikov
Pjesë të ndryshme armësh (gjilpëra, susta, shul, qyt, etj.)
49 krehëra (karikatorë) të llojeve të ndryshme
2 thika
409 fishekë të kalibrave të ndryshëm
1 palë pranga
10 pajisje speciale optike dhe lazeri
4 automjete
1 motor
1 palë veshje ushtarake
1 helmetë e forcave speciale
4 aparate celularë, 2 laptopë, 1 njësi qendrore
290 euro, 13,000 lekë
Kartë SIM Vala (kosovare).
“SPAK falënderon autoritetet e drejtësisë britanike, atasheun e Sigurisë së Brendshme të Ambasadës Britanike në Shqipëri, si dhe agjencitë ligjzbatuese shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën e tyre në këtë hetim kompleks.”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




