Spiropali: Avokati i Popullit, partner kyç në reformat për integrimin në BE

Politikë | 1 vit më parë

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, gjatë ceremonisë së 25-vjetorit të Institucionit të Avokatit të Popullit, shprehu mirënjohjen për kontributin e palodhur të këtij institucioni në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Në fjalën e saj ajo theksoi se Avokati i Popullit ka luajtur një rol të rëndësishëm në korrigjimin e problematikave sociale dhe se Kuvendi i Shqipërisë ka trajtuar me seriozitet shumicën e rekomandimeve të tij.

Spiropali theksoi se Avokati i Popullit nuk është thjesht një strukturë monitoruese, por një pikë kyçe në ndërtimin e një kulture demokratike dhe të një shteti më të ndërgjegjshëm.

Avokati i Popullit, tha ajo, ka zhvilluar një gamë të gjerë iniciativash, duke përfshirë shqyrtimin e ankesave dhe rekomandimeve ligjore që kanë ndihmuar në zbulimin e dobësive në administratë dhe forcimin e transparencës.

“Ky institucion është ndërtuar me një mandat të qartë kushtetues. Të mbrojë të drejtat dhe liritë themelore të cdo qytetari dhe të përforcojë mekanizmat e kontrollit demokratik. Duke qenë një institucion i ri, në një shtet që vinte nga një përvojë e gjatë e shpërfilljes dhe e shtypjes së të drejtave të njeriut, avokatit të popullit i është dashur që në 25 vite të kryejë detyrën e tij si mbrojtjes i të drejtave të njeriut, por edhe të edukojë. Të edukojë një mënyrë tjetër të operimit të institucioneve shtetërore, një mënyrë më humane, më të ndërgjegjshme dhe respektuese ndaj të drejtës së qytetarit.”

Duke e cilësuar si kyç rolin e këtij institucionit në procesin e integrimit evropian, Spiropali theksoi angazhimin e Kuvendit për të rritur konsultimin me qytetarët, në mënyrë që çdo raport i Avokatit të Popullit të mos ngelen vetëm si procedurë.

Spiropali bëri të ditur se ky institucion është ndërtuar mbi një mandat të qartë kushtetues për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të çdo qytetari dhe për të përforcuar mekanizmat e kontrollit demokratik.

 “Në këtë 25-vjetor i them Avokatit të Popullit faleminderit që punoni çdo ditë dhe mbani punën tonë të virtytshme.  Avokati i Popullit ka kontribuuar në korrigjimin e çështjeve sociale dhe Kuvendi i Shqipërisë ka pranuar dhe ka trajtuar me seriozitet shumicën e rekomandimeve që vinë nga avokati i popullit. Kjo si energji ka sjell ndryshime konkrete si: rishikimi i procedurave të mbrojtjes së fëmijëve në sistemin social dhe në ndërhyrjen në institucionet e dënimit. Avokati i Popullit ka pasur edhe një rol të rëndësishëm në integrimin në BE të Shqipërisë. Europa dhe institucionet e saj janë të ndërtuara nga vlerat dhe pikërisht eksperienca juaj prej 25 vitesh bëhen një burim i vyer për këshillimin e reformave legjislative dhe administrative. Si Kryetare e Kuvendit dua të theksoj se sfidat e së ardhmes kërkojnë një përkushtim të përbashkët. Për këtë arsye Kuvendi do të vazhdojë të përmirësojë procedurat e konsultimet me qytetarët dhe së bashku që çdo raport i Avokatit të Popullit të mos ngelen vetëm si procedurë”, u shpreh Spiropali

Spiropali theksoi se sfidat e së ardhmes kërkojnë një përkushtim të përbashkët, zbatim rigoroz të rekomandimeve tuaja, bashkëpunim në ngritjen e legjislacionit bashkëkohor dhe shkëmbim të të dhënave mbi praktikat më të mira ndërkombëtare, që janë elementë thelbësorë për të forcuar besimin e qytetarëve te institucionet.

“Kuvendi do të përmirësojë procedurat e konsultimit me ju dhe do t’i dedikojë vëmendje të veçantë monitorimit të zbatimit të rekomandimeve. Së bashku mund të garantojmë që secili raport të mos mbetet vetëm një përmbledhje e situatës, por një bazë për veprime konkrete legjislative dhe administrative”, theksoi Spiropali.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme