Spiropali: Korridori VIII, jo vetëm projekt ekonomik, por edhe korridor ndërveprueshmërie

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi sot nga Ministeriali i Korridorit VIII në Tiranë se ky projekt nuk është thjesht një aks ekonomik dhe integrues, por një korridor ndërveprueshmërie me rëndësi strategjike për rajonin.
Sipas saj, Korridori VIII mundëson lëvizjen më të shpejtë dhe të parashikueshme të forcave aleate, pajisjeve dhe furnizimeve, duke forcuar arkitekturën e sigurisë së krahut jugor të NATO-s.
“Korridori VIII është i vetmi aks i vërtetë lindje–perëndim në Europën Juglindore, që lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes vendeve tona, të gjitha anëtare të NATO-s. Ai nuk është vetëm një projekt ekonomik dhe integrues, por edhe një korridor ndërveprueshmërie”, u shpreh Spiropali.
Ministrja kujtoi se në takimin e fundit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s u riafirmua rëndësia strategjike e mobilitetit ushtarak në krahun juglindor, duke mundësuar përdorimin e dyfishtë të Korridorit VIII përmes financimit të përbashkët të Aleancës.
“Ky projekt kontribuon jo vetëm në tregti dhe rritje ekonomike, por edhe në mbrojtjen kolektive, qëndrueshmërinë dhe stabilitetin në hapësirën më të gjerë të Detit të Zi dhe Mesdheut”, shtoi ajo.
Në konferencën për shtyp pas përfundimit të ministerialit, Spiropali u pyet për vizitën e kryeministrit Edi Rama në SHBA, ku merr pjesë në takimin e parë të Bordit të Paqes.
Ajo theksoi se Shqipëria është vend themelues i kësaj strukture dhe përfaqësohet nga Kryeministri, duke e cilësuar këtë si një lajm të mirë.
Sipas saj, aktualisht nuk ka detyrime financiare për Shqipërinë në kuadër të Bordit të Paqes, çështje e cila është diskutuar dhe ratifikuar edhe në Kuvend. Spiropali shtoi se Shqipëria është angazhuar për t’u përfshirë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë, ndërsa lista e vendeve pjesëmarrëse pritet të prezantohet nga presidenti amerikan.
“Shqipëria ka përgjegjësi për t’u përfshirë në aktivitetet e Bordit të Paqes dhe në nismat që lidhen me stabilizimin. Vendi ynë ka përvojë dhe vlera për të kontribuar”, përfundoi ministrja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




