Starton kampionati i parë i Padelit

Sporte të tjera | 5 vite më parë

Që nga kjo e premte, në Stërmas të Tiranë, atje ku ndodhet kompleksi sportiv i “Albania Padel Grup”, ka nisur kampionati i parë kombëtar. 16 ekipe kanë sjellë 32 lojtarë. Madje dhe emra të spikatur, atje ku dallohej si lojtar Arbër Sulstarova, të cilët shqiptarët e njohën më së shumti nëpërmjet spektaklit “Big Brother Vip”. Administratori i “Albania Padel Group”, Alesandro Palini, do të tregonte për RTSH Sport për këtë kampionat të parë të Padelit në Shqipëri.

 “Për të gjithë ne është një emocion i jashtëzakonshëm të nisim kampionatin e parë të Padelit në Shqipëri. Një kampionat që është i pari në të gjithë Ballkanin. Jemi krenar për këtë që po bëjmë dhe që kemi sjellë këtë sport në vendin tuaj, ndërsa do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka për ta promovuar”.

Por a mund të kishte më shumë pjesëmarrës në këtë kampionat të Padelit?

 “E kemi nisur këtë kampionat vetëm me 32 sportistë, edhe pse kanë aplikuar më shumë se sa 200 pjesëmarrës për këtë garë. Mbajtëm këtë numër garuesish, pra 32, për të patur më shumë rëndësi si aktivitet. Sigurisht që ne shohim se në muajt në vazhdim do të ketë edhe më shumë lojtarë që do të marrin pjesë”.

Ndërkohë Palini nuk pranon të thojë se cili do të jetë çifti që do të fitojë kampionatin e parë të Padelit në Shqipëri.

 “Ka shumë lojtarë të fortë. Do të shihet në të tria ditët e turneut se cili do të jetë më rezistenti, apo ai që do t’i shkojë deri në fund turneut. E rëndësishme se tashmë gjithçka mori rrugën e duhur”.

E ndërkohë planet janë edhe për aktivitete ndërkombëtare, madje në një kohë shumë të shpejtë.

 “Jemi në kontakte dhe shumë shpejt do të sjellim dhe personazhe të padelit në Shqipëri me idenë që shumë shpejt të kemi figurat botërore të këtij sporti për të garuar në Tiranë”.

Kampionati Kombëtar i Padelit përfundon të dielën, atje ku do të shpërndahet kupa dhe medaljet për fituesit e tre vendeve të para.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme