Stërvitja masive në Finlandë, mbi 2,000 persona marrin pjesë në simulimin më të madh të mbrojtjes civile në Evropë

Europë | 2 muaj më parë

Në qytetin qendror finlandez të Kuopio-s, më shumë se 2,000 qytetarë, vullnetarë dhe rekrutë ushtarakë po marrin pjesë në “Shelter 2026”, stërvitjen më të madhe të mbrojtjes civile në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Simulimi teston aftësinë e vendit për të përballuar sulme kibernetike, ndërprerje të infrastrukturës kritike dhe skenare lufte, në një kohë kur tensionet me Rusinë mbeten të larta pas anëtarësimit të Finlandës në NATO në vitin 2024.

Streha nëntokësore, e gdhendur në shkëmb dhe e pajisur për t’i bërë ballë sulmeve bërthamore apo biologjike, u shndërrua brenda natës në një vend strehimi funksional për qindra njerëz. Skenari i stërvitjes parashikon dëmtimin e rrjeteve të energjisë dhe ujit, ndërkohë që rekrutët dhe autoritetet testojnë procedurat e evakuimit, matjes së rrezatimit dhe menaxhimit të popullsisë për të paktën 72 orë autonomi.

“Ne jemi finlandezë, kështu që në një farë mënyre jemi paksa pesimistë për jetën, por historia tregon se çfarë mund të ndodhë me Rusinë,” thekson Jyry Pietikainen, 23 vjeç, një nga rekrutët e përfshirë në drejtimin e strehës.

Autoritetet dhe ekspertët theksojnë se përveç bunkerëve dhe mbrojtjes fizike, fuqia e Finlandës qëndron te “mentaliteti i rezistencës” dhe gatishmëria e qytetarëve të saj. Përvoja e historisë, përfshirë luftërat e kaluara me Bashkimin Sovjetik dhe mësimet e nxjerra nga konflikti në Ukrainë, e kanë mbajtur shoqërinë finlandeze në një gjendje të lartë vigjilence ndaj sabotimeve dhe rreziqeve hibride në rajonin e Detit Baltik.

  • /rtsh.al/

     


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme