Stresi për provimet dhe “ndërrimi i gjakut, psikologia thirrje prindërve: Mos ushtroni presion tek fëmijët, ndikon negativisht
Lodhje, ulje e interesit për të kryer veprimtari të përditshme janë këto shenja të cilat i atribuohen asaj që në gjuhën popullore njihet si “periudha e ndryshimit të gjakut”. Rilindja e një stine shoqërohet jo rrallë herë me ndryshime të humorit, ndërsa për psikologen Orjola Plaku sfidë e cila lidhet edhe me punët që bëjmë.
“Profesione të cilat janë të lidhura direkt me individin kanë më tepër predispozitë që niveli i stresit të jetë më i lartë. Pse jo, edhe psikologët përjetojnë stres, edhe gazetarët e kanë intensitet më të lartë, edhe policët. Duhet të kemi kujdes edhe për pjesën e burnout-it, të rraskapitjes mendore, sepse kjo mund të çojë edhe në problematika të shëndetit mendor. Në qoftë se kjo gjendje mund të jetë dy-tre ditore është normale, por në qoftë se kalon një afat kohor, një javë, dy javë, atëherë është një sinjal për t’u shqetësuar. Tani, në stinën e verës mund të kemi shumë praktika më të bukura për të bërë për mirëqenien tonë, sepse mund të bëjmë shëtitje në natyrë, mund të merremi me sport dhe dita është më e gjatë dhe kjo ndikon në cilësinë e humorit”, tha ajo.
Kjo periudhë e cila përkon edhe me zhvillimin e Maturës Shtetërore shkakton një ngarkesë më të lartë emocionale, për të cilën rekomandimet nga psikologja shkojnë në veçanti për prindërit.
“Të punohet tek pjesa e të menduarit kritik, sepse është shumë e shëndetshme që të krijosh mendimet e tua dhe kjo do të ndihmojë tek pjesa e rritjes personale, kështu që të bëhet pjesë e përditshmërisë Edhe taktikat që shërbejnë, sporti do të ishte shumë i mirë, pauzat e shkurtra gjatë studimit dhe patjetër të kërkohet edhe suporti i familjarëve në qoftë se e gjen të nevojshme. Kështu që për prindërit kam një këshillë: të mos bëhen mësues të dytë duke kërkuar e kërkuar pafund. Thjesht t’u demonstrojnë në mënyrë të vazhdueshme që kanë besim te fëmijët dhe te potenciali i tyre, dhe gjithmonë do të shkojë gjithçka mirë. Pavarësisht se rrjetet sociale e kanë promovuar shumë pjesën e perfeksionizmit toksik, është shumë e shëndetshme që edhe një rezultat i cili nuk përkon me perfeksionin vlen më tepër”, tha psikologia.
Në fund çdo ndryshim është një fillim i ri. Për maturantët, kjo periudhë nuk kërkon vetëm net të gjata mbi libra, por mbi të gjitha një ambient të qetë dhe mbështetje më të madhe.
Gazetare: E.Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




