Studimi i Lancet, paracetamoli është i sigurt gjatë shtatzënisë, nuk rrit rrezikun e autizmit

Marrja e paracetamolit gjatë shtatzënisë është e sigurt dhe nuk rrit rrezikun e autizmit, ADHD-së apo problemeve të tjera zhvillimore tek fëmijët, sipas një rishikimi të ri shkencor të publikuar në revistën The Lancet Obstetrics, Gynaecology & Women’s Health.
Studimi analizoi 43 nga hulumtimet më të fuqishme ndërkombëtare, që përfshinin qindra mijëra gra shtatzëna, dhe nuk gjeti asnjë provë për një lidhje shkakësore midis përdorimit të paracetamolit dhe çrregullimeve neurologjike tek fëmijët. Sipas autorëve, përdorimi i studimeve me cilësi të lartë, përfshirë krahasimet mes vëllezërve dhe motrave, e bën këtë rishikim “standard të artë”.
Gjetjet bien ndesh me pretendimet e mëparshme të presidentit amerikan Donald Trump dhe disa zyrtarëve në SHBA, të cilët kishin sugjeruar se paracetamoli mund të lidhet me autizmin. Ekspertët mjekësorë thonë se këto deklarata krijuan konfuzion dhe shqetësim të panevojshëm tek gratë shtatzëna.
Profesoresha Asma Khalil, autorja kryesore e studimit, theksoi se “mesazhi është i qartë: paracetamoli mbetet një opsion i sigurt gjatë shtatzënisë kur merret sipas udhëzimeve”. Ajo shtoi se shmangia e trajtimit të etheve ose dhimbjeve mund të jetë më e rrezikshme për nënën dhe foshnjën, duke rritur rrezikun e abortit, lindjes së parakohshme ose komplikacioneve të tjera.
Organizatat shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Evropë vazhdojnë ta rekomandojnë paracetamolin si qetësuesin më të sigurt të dhimbjeve për gratë shtatzëna, ndërsa theksojnë se nuk ka prova të vërtetuara për një lidhje shkakësore me autizmin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




