Stuhia “Marta” godet gadishullin Iberik – Spanja dhe Portugalia sërish në alarm për motin e keq

Botë | 9 muaj më parë

Vetëm disa ditë pasi përmbytjet e shkaktuara nga stuhia Leonardo rezultuan fatale në të dy vendet, Spanja dhe Portugalia u përgatitën për një tjetër stuhi që po i drejtohet gadishullit Iberik. Stuhia e re e pagëzuar me emrin “Marta” nxiti autoritetet në Portugali që të vënë në gatishmëri më shumë se 26 mijë e 500 ekipe shpëtimi, ku moti i keq detyroi tre bashki të shtyjnë zgjedhjet presidenciale të së dielës për  javën e ardhshme.

Instituti Kombëtar Meteorologjik në Potugali vendosi të gjithë vijën bregdetare në alarm portokalli për shkak të kushteve të rënduara detare. Të dy vendet kanë lëshuar paralajmërime për përmbytje të reja të mundshme, pasi përmbytjet bllokuan qindra rrugë, ndërprenë linjat hekurudhore dhe shkaktuan evakukimin e mijëra njerëzve për shkak të nivelit të lartë të ujërave. 

Në Spanjë, pjesa më e madhe e jugut të vendit, veçanërisht rajoni i Andaluzisë, u vu në alarm portokalli, ndërsa veriperëndimi u përball me shira të rrëmbyeshëm dhe stuhi të forta. Agjencia kombëtare meteorologjike e Spanjës Aemet tha se priste që “Marta” të sillte sasi më të pakta reshjesh sesa ato të regjistruara gjatë stuhisë “Leonardo”, e cila mori dy jetë njerëzish.

Shumë rrugë mbetën të mbyllura si masë paraprake dhe trafiku hekurudhor u pezullua, ndërsa autoritetet spanjolle u kanë bërë thirrje banorëve të kufizojnë udhëtimet. Kryeministri Pedro Sanzhez, pasi vizitoi zonat e përmbytura, paralajmëroi se ditë të vështira e presin rajonin si rezultat i parashikimeve për mot të keq.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme