Sulme masive me dronë mes Rusisë dhe Ukrainës, viktima dhe dëme

Botë | 3 muaj më parë

Sulmet me dronë mes Rusisë dhe Ukrainës kanë vijuar gjatë natës, me intensitet të lartë në të dyja drejtimet.

Autoritetet ruse njoftuan se forcat e mbrojtjes ajrore kanë interceptuar dhe shkatërruar 605 dronë ukrainas gjatë orëve të natës. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, sulmet janë regjistruar në disa zona, përfshirë rajonin e Moskës, Detin e Zi dhe rajonin e Jaroslavlit. Në qytetin rus të Jaroslavlit, ku ndodhet një nga rafineritë më të mëdha të naftës në vend, pamjet e publikuara tregojnë një re të dendur tymi të zi pas një sulmi me dron. Guvernatori i rajonit, Mikhail Evraev, deklaroi se bëhej fjalë për sulmin më të madh të këtij lloji ndaj zonës, duke pretenduar se 92 dronë ishin shkatërruar.

Rafineria e naftës Slavneft-Yanos në Jaroslavl ka qenë më herët objektiv i sulmeve ukrainase, në kuadër të përpjekjeve për të goditur infrastrukturën energjetike ruse.

Ndërkohë, sulmet ruse kanë vijuar në territorin ukrainas. Në qytetin Balakliya, në rajonin e Harkivit, shërbimi shtetëror i emergjencave bëri të ditur se tre persona humbën jetën pasi dronët rusë goditën një zonë banimi. Nga sulmet u shkaktuan edhe zjarre në disa banesa. Sipas autoriteteve ukrainase, 12 persona të tjerë u plagosën në sulmet ajrore ruse në rajonin e Sumit. Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi gjithashtu se gjatë natës kishte goditur dy anije në portin e Odesës, duke pretenduar se ato transportonin ngarkesa ushtarake.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme