Sulmi ndaj Berishës, reagime nga PD, Basha: Ngjarja të hetohet! Alibeaj: Akt i dënueshëm

Deputetët të partisë demokratike kanë reaguar pas incidentit të ndodhur në protestën e opozitës këtë të martë, ku kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, u godit me grusht në fytyrë.
Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar me anë të një postimi në rrjetin social Twitter, ku shkruan se ngjarja duhet të hetohet dhe të zbardhet plotësisht, ndërsa thekson se dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje. Sipas Bashës, dhuna është tregues i një vendi pa zgjedhje të lira, pa drejtësi dhe me korrupsion të pandëshkuar.
“Dënoj ashpërsisht sulmin fizik ndaj z. Berisha. Kjo ngjarje duhet të hetohet dhe të zbardhet plotësisht. Dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje. Ajo është vetëm tregues i një vendi pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa demokraci funksionale dhe me korrupsion të pandëshkuar”, shkruan Basha.
Një reagim ka patur edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili dënon aktin, duke bërë thirrje se ngjarja duhet të zbardhet “urgjentisht”.
“Dënoj me forcë aktin e sotëm të dhunës ndaj Sali Berishës. Sulmi ndaj çdo politikani, e ndaj çdo individi, është një akt i dënueshëm dhe i pavend në një shtet funksional demokratik. Incidenti i sotëm duhet të zbardhet urgjentisht nga organet përgjegjëse ndërsa kultura e dhunës duhet përjashtuar njëherë e përgjithmonë nga zhvillimet e politikës në Shqipëri”, shkruan Alibeaj në Twitter.
Kreu i PD u godit me grusht në fytyrë nga 31-vjeçari Gert Shehu gjatë zhvillimit të protestës. 31-vjeçari u dërgua në spitalin e Traumës pasi u godit nga protestuesit e tjerë të pranishëm në atë që duhej të ishte një tubim paqësor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




