Sulmi në Bondi – Autori Naveed Akram akuzohet për 59 vepra penale, përfshirë terrorizëm dhe 15 vrasje

Botë | 11 muaj më parë

Naveed Akram, i dyshuari i mbijetuar në sulmin masiv me armë në Bondi Beach është akuzuar për 59 vepra penale, përfshirë 15 akuza për vrasje dhe një për kryerjen e një akti terrorist, sipas Policisë së Uellsit të Ri Jugor.

Babai i tij, Sajid Akram, 50 vjeç, u vra në një shkëmbim zjarri me policinë në vendngjarje. Sulmi, i cili kishte në shënjestër komunitetin hebraik gjatë festimeve të natës së parë të Hanukkah, la 15 viktima dhe dhjetëra të plagosur, duke u cilësuar si ngjarja më vdekjeprurëse në Australi që nga viti 1996.

Naveed Akram përballet gjithashtu me 40 akuza për lëndime të rënda trupore me qëllim vrasjeje dhe një akuzë për shfaqje publike të simbolit të një organizate terroriste të ndaluar. Ai u plagos rëndë gjatë incidentit dhe seanca e parë dëgjimore u zhvillua nga shtrati i spitalit. Gjykata ka shtyrë çështjen deri në prill 2026.

Komisioneri i Policisë, Mal Lanyon, deklaroi se hetimet do të vazhdojnë pasi gjendja shëndetësore e Akramit të stabilizohet. Aktualisht, 20 persona të plagosur mbeten në spitale, një prej tyre në gjendje kritike.

Autoritetet e kanë cilësuar sulmin si incident terrorist, ndërsa Kryeministri australian Anthony Albanese tha se duket se ishte “motivuar nga ideologjia e grupit Shteti Islamik”. Në automjetin e përdorur nga sulmuesit u gjetën flamuj të improvizuar të ISIS dhe pajisje shpërthyese artizanale.

Hetimet zbuluan se babai dhe djali kishin udhëtuar në Filipine një muaj para sulmit, duke qëndruar në qytetin Davao nga 1 deri më 28 nëntor. Naveed përdori pasaportë australiane, ndërsa Sajid pasaportë indiane. Sajid Akram ishte me origjinë nga Hyderabad, Indi, por kishte kontakte të kufizuara me familjen e tij atje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme