Sulmi raketor rus, aleatët e Ukrainës: Krim lufte i qëllimshëm

Botë | 2 vite më parë

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka dënuar ashpër sulmin me raketa balistike ruse në qytetin ukrainas të Sumy, i cili ka lënë 34 të vdekur, përfshirë dy fëmijë, dhe 117 të plagosur.

 Trump e përshkroi sulmin si një “gjë të tmerrshme”, ndërsa aleatët e Ukrainës kanë kërkuar një reagim të fuqishëm ndaj veprimeve të Rusisë.

Dy raketa goditën qendrën e qytetit mesditën e së dielës, duke shpërthyer pranë Universitetit Shtetëror dhe Qendrës së Kongresit.

Reagimet ndërkombëtare kanë qenë të ashpra, me kancelarin në pritje të Gjermanisë, Friedrich Merz, që e quajti këtë akt një “krim lufte të qëllimshëm”.

Në një intervistë për CBS, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ftoi Trumpin të vizitojë Ukrainën dhe të shohë pasojat e pushtimit rus, ndërkohë që liderë të tjerë perëndimorë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dënuan sulmin si një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar.

“Rusia ishte dhe mbetet agresore, në shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar. Nevojiten urgjentisht masa të forta për të zbatuar një armëpushim. Evropa do të vazhdojë të kontaktojë me partnerët dhe të mbajë presion të fortë ndaj Rusisë derisa të përfundojë gjakderdhja dhe të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme, sipas kushteve të Ukrainës”, deklaroi Von der Leyen.

Sulmi vjen në një kohë kur tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë janë në rritje, dhe forcat ruse po përgatiten për një ofensivë të madhe.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme