Sulmi terrorist i 11 Shtatorit, SHBA revokon marrëveshjen me tre të akuzuarit

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka njoftuar se ka anuluar marrëveshjen me të cilën të akuzuarit për sulmin terrorist të 11 Shtatorit 2001 mund të shpëtonin nga dënimi me vdekje.
Sekretari i Mbrojtjes, Loid Ostin (o. Lloyd Austin), u shpreh të premten kundër një memoje të nënshkruar dy ditë më parë nga një gjykatë ushtarake.
Familjarët e viktimave në Kullat Binjake e kritikuan vendimin e gjykatës.
Sipas memos, përfitues do të ishin tre të dënuar, mes tyre edhe planifikuesi i sulmit, Kalid Sheik Mohamed. Të gjithë po mbahen në burgun e Guantanamos.
“Kam vendosur që, duke parë rëndësinë e vendimit për të arritur marrëveshjeje paragjyqësore me të akuzuarit… se përgjegjësia për një vendim të tillë duhet të më takojë mua si autoriteti më i lartë. Prandaj unë e tërheq autoritetin tuaj. Hyn në fuqi menjëherë!” i shkroi z. Ostin në memon e tij.
Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se nuk kishte pasur rol në marrëveshjen e arritur nga gjykata ushtarake.
Të akuzuarit qëndrojnë në burg prej dekadash dhe i janë nënshtruar torturave, sipas dokumenteve zyrtare.
Kalid Sheik Mohamed pretendohet se ia përcolli idenë për fluturimin e avionëve drejt ndërtesave amerikane edhe liderit të al-Kaedës, Osama bin Laden. Ai u kap në Pakistan në vitin 2003.
Sulmet e 11 Shtatorit u bënë shkak edhe për “Luftën mbi Terrorin” dhe ndërhyrjet luftarake në Afganistan dhe Irak. /BBC
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




