Tajfuni Dujuan godet Japoninë, alarmi i nivelit më të lartë në zonat pranë Tokios

Botë | 51 minuta më parë

Japonia është përfshirë nga moti i keq për shkak të tajfunit të fuqishëm Dujuan, i cili po lëviz drejt bregut lindor të vendit, duke sjellë reshje të dendura, rrezik për përmbytje dhe rrëshqitje dheu.

Autoritetet japoneze kanë aktivizuar alarmin e Nivelit 5, shkallën më të lartë të paralajmërimit, në qytetin Oshima dhe në ishujt Izu, në jug të prefekturës së Tokios. Alarmi u është dërguar 1,901 familjeve, me rreth 3,020 banorë. Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka paralajmëruar se tajfuni mund të sjellë reshje jashtëzakonisht të dendura deri të martën, ndërsa banorëve në zonat e rrezikuara u është bërë thirrje të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të mundësisë së rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve.

Stuhia ka shkaktuar ndërkohë probleme të konsiderueshme në transport. Mbi 200 fluturime janë anuluar, ndërsa disa shërbime hekurudhore janë pezulluar. Disa aktivitete publike janë anuluar ose shtyrë për shkak të kushteve të motit.

Tajfuni ka mbërritur në një moment të rëndësishëm për Japoninë, e cila po pret Lojërat Aziatike Aichi-Nagoya 2026. Lojërat u hapën zyrtarisht gjatë fundjavës në Nagoya dhe në prefekturën Aichi. Për shkak të tajfunit, një aktivitet i hipizmit, i planifikuar fillimisht për të hënën, është shtyrë për të martën. Kosei Inoue, shefi i misionit të Japonisë për Lojërat Aziatike, tha se organizatorët po zhvillojnë takime me Komitetin Olimpik të Japonisë për t’u siguruar se janë të përgatitur për t’iu përgjigjur situatës.

Rreth 4,000 pjesëmarrës të Lojërave po qëndrojnë në anijen turistike Costa Serena. Në rast se tajfuni prek zonën ku ndodhet anija, ajo do të zhvendoset përkohësisht dhe do të rikthehet vetëm pasi kërcënimi të ketë kaluar. Pjesëmarrësit do të qëndrojnë në bord gjatë kësaj kohe.

Situata ka ndikuar edhe në axhendën e kryeministres japoneze Sanae Takaichi, e cila ka shtyrë udhëtimin e planifikuar drejt Shteteve të Bashkuara për të monitoruar situatën e krijuar nga tajfuni.

Takaichi pritej të udhëtonte drejt Nju Jorkut për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump. Ndërkohë, ajo ka publikuar përditësime mbi situatën e tajfunit në rrjetet sociale.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme