Takim KLP-KLGJ, Sadushi: Plotësimi në kohë i gjykatave dhe prokurorive, parakushtet kryesore për uljen e stokut

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), theksoi se pa vlerësim në kohë nuk ka meritokraci, karrierë të drejtë dhe ulje të backlog-ut.
Sadushi u shpreh se vlerësimi etik dhe profesional i magjistratëve nuk është një procedurë formale, por një mekanizëm thelbësor për funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Ai paralajmëroi se vonesat në këtë proces ndikojnë drejtpërdrejt në emërimet, ngritjet në detyrë, transferimet dhe plotësimin e vakancave, duke e bërë më të vështirë uljen e çështjeve të prapambetura.
“Vlerësimi etik dhe profesional nuk është formalitet administrativ. Vonesa në këtë proces ndikon drejtpërdrejt në karrierën e magjistratëve, në plotësimin e vendeve vakante dhe në kapacitetin real të gjykatave e prokurorive për t’iu përgjigjur ngarkesës së tyre. Pikërisht këtu qëndron lidhja thelbësore me funksionimin e sistemit. Vlerësimi në kohë është kusht për një karrierë të bazuar në meritë; karriera e bazuar në meritë është kusht për plotësimin e drejtë dhe të shpejtë të vendeve vakante; ndërsa plotësimi në kohë i gjykatave dhe prokurorive është një nga parakushtet kryesore për uljen e backlog-ut”, tha ai.
Kreu i Gjykatës së Lartë nënvizoi se reforma në drejtësi nuk synoi vetëm krijimin e institucioneve të reja, por ndryshimin e mënyrës se si sistemi vetëqeveriset, promovon dhe mban përgjegjësi. “Institucionet e reja nuk mund të përsërisin dobësitë e sistemit para reformës”, tha ai.
Sadushi evidentoi gjithashtu vonesat në plotësimin e dy vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, duke theksuar se mungesa e kapaciteteve vendimmarrëse e vështirëson ritmin e uljes së backlog-ut.
“Sot, dy vende vakante në Gjykatën e Lartë mbeten ende të paplotësuara; njëri prej tyre lidhet me një vakancë të hapur që në nëntor të vitit 2024, ndërsa tjetri me një vakancë të hapur në nëntor të vitit 2025, dhe ende nuk është përmbyllur zgjedhja e gjyqtarëve të rinj. Nuk është e kuptueshme dhe nuk mund të konsiderohet normale që plotësimi i një vendi vakant në gjykatën më të lartë të vendit të zgjasë kaq gjatë, kur ligji kërkon që procedura të përfundojë brenda dy muajve. Çdo vonesë e tillë ka pasoja të drejtpërdrejta: ul kapacitetin vendimmarrës të Gjykatës së Lartë, ngadalëson uljen e backlogut dhe dobëson besueshmërinë e mekanizmave të karrierës që reforma në drejtësi synoi t’i bënte më të shpejtë, më transparentë dhe më meritokratikë”, theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




