“Të përgatitemi për luftë”- Kim Jong Un shfaqet i hipur mbi tank

Botë | 3 vite më parë

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i është bashkuar trupave të tij në ushtrimin e përdorimit të tankeve luftarake të llojit të ri, nga ku bëri thirrje për përpjekje më të mëdha për t’u përgatitur për luftë, raportuan mediat shtetërore të enjten.

Stërvitja me tanke e Veriut u cilësua si përgjigje ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake vjetore të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, të cilat pritet të përfundojnë të enjten pasdite.

Koreja e Veriut i sheh stërvitjet e rivalëve si përgatitje për pushtim.

Stërvitja e Veriut të mërkurën kishte për qëllim vlerësimin e aftësive luftarake të tankistëve dhe në të u përfshi një lloj i ri i tankut të luftës, të cilin Kimi e quajti “tanku më i fuqishëm në botë”, sipas agjencisë koreane të lajmeve, KCNA.

Gjatë stërvitjes, tanket e rënda manovruan në rrethana të ndryshme të vështira luftarake dhe shkrepën predha në drejtim të shënjestrave. Kim hipi në njërën prej tankeve të tipit të ri dhe e ngau vetë, sipas KCNA-së.

Koreja e Veriut e ka shtuar testimin e armëve prej fillimit të vitit 2022, në përpjekje për ta modernizuar dhe rritur arsenalit e vet bërthamor dhe raketor.

Si përgjigje ndaj saj, SHBA-ja dhe Koreja e Jugut i kanë zgjeruar stërvitjet dhe ushtrimet tripalëshe, duke e përfshirë edhe Japoninë në to.

Ekspertët thonë se me gjasë Kimi dëshiron ta përdorë arsenalin e vet të rritur bërthamor për të siguruar konsensione nga SHBA-ja, si për shembull, lehtësira të mëdha nga sanksionet ndërkombëtare kundër Koresë së Veriut.

Ata thonë se Koreja e Veriut pritet ta zgjerojë veprimtarinë e testimeve dhe ta shpeshtojë retoriken luftëdashëse këtë vit, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut mbajnë zgjedhje të rëndësishme

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme