Tragjedi në Austri, i riu vret 9 nxënës dhe më pas veten. Vendi shpall tri ditë zie

Europë | 1 vit më parë

Një 22-vjeçar i armatosur hapi zjarr në një shkollë të mesme në qytetin e Grazit në Austri, duke vrarë 9 persona, mes të cilëve adoleshentë dhe një mësues. Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur edhe 12 persona të tjerë, që po marrin ndihmën mjekësore në spital. Për tragjedinë Austria ka shpallur tri ditë zie.

Gjithashtu autori, një 22-vjeçar austriak, ka vrarë veten në banjën e shkollës pas sulmit. Ai ishte i armatosur me pushkë dhe një pistoletë, ndërsa hapi zjarr në dy klasat e shkollës së mesme.

Ministria e Brendshme e Austrisë tha se viktimat përfshinin të rinj të moshës 14 deri në 18 vjeç. Motivi i ngjarjes mbetet ende i paqartë, ndërsa autori ka vepruar i vetëm.

Për ngjarjen tragjike ka reaguar edhe kancelari austriak Christian Stocker, i cili tha se duhet të tregojmë unitet në momente të tilla, duke shtuar se shkollat ​​duhet të jenë një vend i sigurt.

“Nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen dhe pikëllimin që të gjithë ne në Austri po ndiejmë tani”, tha ai.

Edhe presidenti austriak Alexander Van der Bellen gjithashtu tha se “ky tmerr nuk mund të përshkruhet me fjalë”.

“Ajo që ndodhi sot në një shkollë në Graz e godet vendin tonë në zemër. Këta ishin të rinj që kishin gjithë jetën përpara. Një mësues që i shoqëroi në udhëtimin e tyre. Nuk ka asgjë që mund ta lehtësojë dhimbjen që ndjejnë prindërit, gjyshërit, vëllezërit e motrat dhe miqtë e të vrarëve në këtë moment”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme