Të shtëna me armë në Sarandë, plagoset para biznesit të tij 50-vjeçari, autorët me skafandra largohen me motor

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin bregdetar të Sarandës mbrëmjen e sotme. Rreth orës 21:15, në lagjen nr. 4, një 50-vjeçar i identifikuar me inicialet Th. R. është plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta.
Atentati ka ndodhur pikërisht përpara biznesit në pronësi të viktimës. Menjëherë pas ngjarjes, 50-vjeçari është transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Forcat e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën. Aktualisht po vijojnë kontrolle intensive dhe krehje e territorit për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.
Nga të dhënat e para të grumbulluara nga dëshmitarët dhe këqyrja paraprake, dyshohet se autorët kanë qenë dy persona të cilët mbanin skafandra në kokë për të fshehur identitetin. Ata janë larguar me shpejtësi nga skena e krimit me një motomjet.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale në vendngjarje, duke sekuestruar prova materiale dhe dëshmi me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij atentati.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



