Teherani: Izraeli do të marrë një përgjigje të përshtatshme për çdo veprim

Pas sulmeve izraelite në Iran dhe mbylljes së hapësirës ajrore iraniane, aviacioni civil do të rifillojë si normalisht, tha të shtunën autoriteti i aviacionit.
“Linjat ajrore mund të kthehen në operimet normale nga ora 9:00 e mëngjesit, megjithëse pasagjerët këshillohen të kontaktojnë linjat e tyre ajrore”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.
Sulmi izraelit ndaj instalimeve ushtarake pritej për ditë të tëra, pasi Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike iraniane lëshoi rreth 200 raketa balistike në Izrael më 1 tetor.
Irani tregoi se do të hakmerrej, por nuk tha se si dhe kur.
“Nuk ka dyshim se Izraeli do të marrë një përgjigje të përshtatshme për çdo veprim”, tha agjencia e lajmeve Tasnim, duke cituar një burim anonim nga qeveria.
Tasnim konsiderohet si zëdhënësi i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), forca elitare ushtarake e Iranit.
Zëdhënësi i IDF-së Hagari paralajmëroi Iranin, pas përfundimit të sulmit, për rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm.
“Nëse regjimi në Iran gabon duke nisur një raund të ri përshkallëzimi, ne jemi të detyruar të përgjigjemi”, tha ai.
SHBA i kishte kërkuar Izraelit, si aleati i tij më i rëndësishëm, të mos sulmonte objektet bërthamore ose fushat e naftës në Iran. Mediet iraniane fillimisht raportuan për “dëm të kufizuar” në bazat ushtarake në vend. Deri më tani nuk ka raportime për viktima të mundshme.
Hapësira ajrore iraniane nuk u mbyll menjëherë, por ajo u mbyll menjëherë pas fillimit të sulmit dhe më vonë u rihap pasi Izraeli përfundoi operacionin e tij.
Mediet shtetërore iraniane raportuan shpërthime në afërsi të kryeqytetit, Teheranit, ku jetojnë 15 deri në 20 milionë banorë. Herët në mëngjes, shpërthime u dëgjuan edhe në qendër të qytetit, dhe zjarri kundërajror ishte i dukshëm.
Fillimisht nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar nga asnjëra palë për viktima apo dëme.
Sulmet e Izraelit ndaj objektivave iraniane shihen si hakmarrje për sulmin e 1 tetorit të Iranit ndaj Izraelit, në të cilin ai lëshoi rreth 200 raketa balistike kundër shtetit hebre.
Sipas ATSH
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




