Temperatura të larta deri ne 39 gradë, vala e të nxehtit vijon edhe këtë javë

Aktualitet | 3 muaj më parë

Vala e të nxehtit që ka përshkuar vendin do të vijojë edhe gjatë fundjavës. Temperaturat e larta deri në 39 gradë Celsius do të mbajnë vendin nën ndikimin e masave ajrore të nxehta. Jo vetëm ditët, por edhe netët do të karakterizohen nga temperatura të larta, duke i shndërruar ato në të ashtuquajturat netë tropikale.

“Fundjava do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta, duke bërë që moti në pjesën më të madhe të territorit të jetë kryesisht i kthjellët, e vranësirat pritet të jenë fare të pakta kalimtare, kryesisht përgjatë relieve malore në orët e mesditës dhe pasdites. Për sa i përket fushës termike, gjatë gjithë këtyre ditëve temperaturat në vlerat maksimale pritet të shkojnë deri në 39-40°C, ndërsa në vlerat e mëngjesit termometri, kryesisht në zonat e ulëta dhe në bregdet nuk parashikohet të zbresë poshtë 25-26°C, duke bërë që të përjetojmë edhe atë që quhet netë tropikale”, u shpreh sinoptikanja.

Edhe fillimi i javës pritet të shoqërohet me temperatura të larta. Era do të fryjë kryesisht nga kuadrati i veriut, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s, ndërsa herë pas here, veçanërisht përgjatë bregdetit dhe në lugina, mund të arrijë deri në 10 m/s. Në det pritet valëzim i forcës 1-2 ballë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme