Tension në natën e ndërrimit të viteve, Moska publikon një video ku pretendon për sulm me dron ndaj rezidencës së Putinit, BE: Shpërqendrim i qëllimshëm

Europë | 10 muaj më parë

Orët e fundit të vitit 2025 janë shoqëruar me tensione të larta gjeopolitike dhe akuzat të ndërsjella mes Rusisë dhe Perëndimit. Ndërsa bota përgatitet të festojë, lufta në Ukrainë mbetet kryefjala, me Moskën që pretendon një tentativë sulmi ndaj rezidencës së Vladimir Putinit dhe Bashkimin Europian që e cilëson këtë si një manovër propagandistike.

Dronë mbi Valdai?

Pretendimi i Rusisë Ministria e Jashtme ruse publikoi pasditen e sotme pamje të asaj që pretendohet të jenë rrënojat e një droni ukrainas, i rrëzuar pranë rezidencës presidenciale në Valdai, rajoni i Novgorodit. Në videon e shpërndarë në Telegram, shfaqet një ushtar në një pyll me dëborë, i cili inspekton dronin e tipit “Chaklun-V”.

“Ky dron mbante 6 kilogramë eksploziv dhe u rrëzua gjatë një sulmi terrorist nga regjimi i Kievit. Është një rast unik që koka luftarake ka mbetur e paprekur pasi u godit në bisht,” shprehet ushtari në video.

Moska publikoi gjithashtu një hartë që tregonte rrëzimin e 91 dronëve, të cilët sipas Kremlinit po udhëtonin nga jugu drejt veriut, duke kaluar rajonet Bryansk dhe Smolensk për të goditur kompleksin e mbrojtur ku qëndron Putin.

BE dhe Ukraina: “Gjithçka është inskenim”

Reagimi nga Brukseli ishte i menjëhershëm dhe i prerë. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, hodhi poshtë pretendimet ruse, duke i quajtur ato një tymnajë për të mbuluar krimet e vazhdueshme.

“Pretendimi i Rusisë është një shpërqendrim i qëllimshëm. Moska synon të pengojë përparimin e vërtetë drejt paqes. Askush nuk duhet të pranojë pretendime të pabaza nga agresori,” shkroi Kallas në platformën X.

Ndërkohë, realiteti i luftës u ndje ashpër në Odesa, ku sulmet ruse gjatë natës plagosën gjashtë persona, përfshirë tre fëmijë (një foshnjë 7-muajshe), dhe dëmtuan infrastrukturën energjetike.

Mesazhet e fundvitit, nga Putin te Merz

Liderët botërorë shfrytëzuan fjalimet e fundvitit për të përcaktuar qëndrimet e tyre strategjike për vitin 2026.

Në fjalimin drejtuar ushtarëve, Presidenti rus bëri thirrje për unitet kombëtar. “Ne besojmë tek ju dhe në fitoren tonë. Miliona njerëz janë me ju në këtë natë,” deklaroi ai, duke lidhur fatin personal të rusëve me atë të shtetit.

Kancelari gjerman, në fjalimin e tij të parë të Vitit të Ri në këtë detyrë, mbajti një qëndrim të fortë për autonominë evropiane.

“Ne nuk jemi gurë shahu në duart e fuqive të mëdha. Duart tona nuk janë të lidhura,” tha Merz. Ai paralajmëroi se Gjermania është viktimë e sabotimit rus dhe theksoi se marrëdhënia me SHBA-në po ndryshon, duke kërkuar që Evropa të mbrojë interesat e saj.

Papa Leo XIV: “Lufta po trondit planetin”

Në Vatikan, Papa Leo XIV mbajti audiencën e fundit të vitit, duke kujtuar ngjarjet e dhimbshme të 2025-ës, përfshirë vdekjen e paraardhësit të tij, Papa Françeskut.

“Skenarët e luftës vazhdojnë të trondisin planetin,” tha Ati i Shenjtë, duke ftuar besimtarët për një shqyrtim të ndershëm të ndërgjegjes dhe duke u lutur për paqe në vitin që vjen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme