Tensione globale, ambasada e SHBA në Tiranë publikon njoftimin e DASH: Irani mund të godasë interesat amerikane kudo në botë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shpërndarë një alarm zyrtar sigurie të lëshuar nga Departamenti i Shtetit (DASH), duke u bërë thirrje të gjithë shtetasve amerikanë në mbarë botën të tregojnë gatishmëri dhe “kujdes të shtuar”. Ky paralajmërim vjen si pasojë e rritjes së tensioneve gjeopolitike, veçanërisht në Lindjen e Mesme.
Sipas njoftimit, rreziku nuk kufizohet vetëm në zonat e nxehta të konfliktit. Uashingtoni paralajmëron se grupet e lidhura dhe të mbështetura nga Irani mund të godasin asete, objekte diplomatike dhe qytetarë amerikanë kudo në botë. Po ashtu, theksohet se përshkallëzimi i situatës mund të sjellë mbyllje të papritura të hapësirës ajrore, duke shkaktuar kaos dhe ndërprerje në udhëtimet ndërkombëtare.
Për këtë arsye, DASH kërkon nga shtetasit e tij që të monitorojnë vazhdimisht përditësimet e sigurisë nga përfaqësitë diplomatike.
“Amerikanët jashtë vendit duhet të ndjekin udhëzimet në njoftimet e sigurisë të lëshuara nga ambasada ose konsullata më e afërt e Shteteve të Bashkuara. Objektet diplomatike të SHBA-së, përfshirë ato jashtë Lindjes së Mesme, janë shënjestruar. Grupet mbështetëse të Iranit mund të shënjestrojnë interesa të tjera të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit ose vende të lidhura me Shtetet e Bashkuara dhe/ose amerikanët në të gjithë botën,” theksohet në komunikatën zyrtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




