Tensione në qeverinë izraelite, ushtria kundërshton pushtimin e plotë të Gazës

Ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thirrur një takim urgjent për të diskutuar planet ushtarake për Gazën, tensionet mes qeverisë dhe udhëheqjes ushtarake po përshkallëzohen. Konflikti është theksuar nga deklaratat e kundërta të ministrave dhe shefit të shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Eyal Zamir, rreth zgjerimit të operacionit ushtarak në Rripin e Gazës.
Sipas burimeve të mediave, Netanyahu ka shprehur synimin për të kërkuar miratimin e kabinetit për një ripushtim të plotë të Gazës. Kjo vjen pavarësisht paralajmërimeve të Shefit të Shtabit, Eyal Zamir, për rreziqet dhe vështirësitë e një intensifikimi të tillë. Zamir, së bashku me Ministrin e Jashtëm Gideon Sa’ar, thuhet se po kërkojnë një marrëveshje për lirimin e pengjeve, në vend të zgjerimit të operacioneve ushtarake.
Kjo përplasje ka dalë hapur edhe në mediat sociale. Ministri i ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvir, ka kërkuar që shefi i shtabit “t’u bindet plotësisht” urdhrave të lidershipit politik, ndërsa Ministri i Jashtëm Sa’ar ka mbrojtur rolin e ushtrisë për të shprehur mendimin e saj profesional në mënyrë të qartë. Në një qëndrim të ngjashëm, Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka theksuar se IDF do t’i zbatojë profesionalisht vendimet që merr qeveria.
Objektivat e Netanyahut dhe reagimi ndërkombëtar
Gjatë një vizite në një bazë ushtarake, kryeministri Netanyahu deklaroi se është “e nevojshme të përfundojmë mposhtjen e armikut në Gaza, të lirojmë të gjithë pengjet tanë dhe të sigurohemi që Rripi i Gazës të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin.”
Këto deklarata vijnë ndërkohë që Ushtria izraelite ka njoftuar heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme të luftës dhe një reduktim të personelit ushtarak.
Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare vazhdon të mbajë një qëndrim të qartë. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, deklaroi se BE “hedh poshtë çdo ndryshim demografik dhe territorial” në Rripin e Gazës, duke theksuar se “Gaza duhet të jetë pjesë e një shteti palestinez dhe Hamasi nuk duhet të ketë asnjë rol.” ANSA
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




