Tentoi të korruptojë policinë, procedohet penalisht 38-vjeçari në Sarandë

Një 38-vjeçar është proceduar penalisht në Sarandë pasi tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë, të cilët e konstatuan në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ngjarja ndodhi gjatë një patrullimi të shërbimeve të Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Komisariatit të Policisë Sarandë. Në rrugën “Lefter Talo”, policia vuri re një automjet tip “BMW” të ndaluar, që pengonte qarkullimin normal të mjeteve.
Gjatë veprimeve procedurale, drejtuesi i automjetit, shtetasi me iniciale L. B., banues në Tiranë, ka tentuar t’u ofrojë punonjësve të Policisë shumën prej 50 eurosh me qëllim shmangien e ndëshkimit ligjor për shkeljen e konstatuar.
Menjëherë pas kësaj, shtetasi L. B. u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Sarandë. Pas veprimeve të mëtejshme, Oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë referoi materialet në këtë prokurori. Ndaj tij u nis procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




