“Teritorialja”, Demo: Transparenca dhe dëgjesat publike, thelbësore. Turet në terren, të domosdoshme

Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi gjatë një konference për shtyp se reforma territoriale duhet të garantojë përfshirjen e qytetarëve dhe grupeve të interesit në çdo fazë të saj.
Ai bëri me dije se komisioni i posaçëm është në proces të hartimit të metodologjisë dhe organizimit të seancave dëgjimore, ndërsa shtoi se do të kishte preferuar një ritëm më të shpejtë pune.
Pavarësisht kësaj, Demo nënvizoi se transparenca mbetet thelbësore, duke kërkuar informim të plotë për institucionet, qytetarët dhe aktorët e përfshirë. Sipas tij, organizimi i tureve në terren është i domosdoshëm, pavarësisht formës që do të marrë metodologjia përfundimtare.
Ai shtoi se institucionet do të angazhohen për të përfshirë sa më shumë aktorë lokalë, ndërsa theksoi se Reforma Territoriale duhet të synojë adresimin e sfidave të së ardhmes.
“Reforma Territoriale, komisioni i posaçëm është duke definuar metodologjinë që do të ndjekim apo edhe vetë seancave dëgjimore. Pritshmëria ime ka qenë që komisioni të ecte më shpejt. Ajo çfarë do të doja të nënvizoja është fakti që ne i qëndrojmë procesit të transparencës, të ketë informim të institucioneve të përfshira, qytetarëve dhe grupeve të interesit. Pavarësisht metodologjisë që do të përcaktohet, turet në vend duhet të bëhen patjetër dhe ne do të luajmë edhe rolin tonë për të përfshirë aktorët lokalë”, tha Demo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




