“Tërmeti” Haaland, në Norvegji u regjistruan lëkundje toke gjatë golave të tij në Kupën e Botës

Botërori 2026 | 5 muaj më parë

Dopieta e Erling Haaland në Botëror nuk ka dridhur vetëm mbrojtjen e Irakut, por edhe tokën norvegjeze. Gjatë fitores 4-1 të Norvegjisë, stacionet sizmike të Bergen kanë regjistruar lëkundje të lehta që kanë koinciduar me golat e sulmuesit të Manchester City.

“Gjatë natës stacioni sizmik i Bergen ka regjistruar sinjale të qarta kur luhej ndeshja mes Norvegjisë dhe Irakut. Lëkundjet më të forta koincidojnë me golat e Erling Haaland, që kanë provokuar reagime të forta ekzaltimi mes tifozëve norvegjezë”, -ka bërë me dije Universiteti i Bergen, që administron sistemin e monitorimit.

Të dhënat tregojnë se piku i lëkundjeve korrespondon me momentet kyçe të ndeshjes, veçanërisht me golat e Haaland. Sipas ekspertëve, këto sinjale janë shkaktuar nga reagimi i publikut. “Sinjalet janë shkaktuar me shumë mundësi nga ulërimat dhe festimet e tifozëve që ndiqnin ndeshjen në Bergen”, – shpjegojnë ekspertët. Ata theksojnë se “kur shumë njerëz reagojnë njëkohësisht në evente të mëdha sportive, lëvizjet e kombinuara mund të gjenerojnë dridhje toke që kapen nga sizmometri”.

Fenomeni nuk është i ri: dridhje të tilla janë regjistruar edhe gjatë koncerteve të mëdha, si në rastin e atij të Ed Sheeran në Oslo, ku dhjetëra mijëra njerëz shkaktuan dridhje të tokës. Në rastin e Norvegjisë nuk pati tërmet të vërtetë, por shumë entuziazëm, sa për të regjistruar një “shkundje” që koincidoi me golat e Haaland.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme