Teuta, “Mbretëresha” e Superkupës

Basketboll | 5 vite më parë

Teuta është fituesja e Superkupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj, teksa në mbrëmjen e së premtes, në sallën sportive “Farie Hoti”, ka fituar në kohën shtesë ndaj Tiranës. 113-108 për djemtë e Melzin Lazimit në një ndeshje që ka patur përmbysje të mëdha dhe që ka dhënë shumë emocione për të pranishmit. Perioda e parë është për Teutën, 34-19. Një diferencë e madhe pikësh, plot 15, që krijonte përshtypjen se durrsakët e kishin nën kontroll ndeshjen. Mirëpo Tirana reagon dhe duke fituar periodën e dytë 25-31 ngushton në pushim 59-50.

Bardheblutë e mbajnë ritmin e lartë të lojës edhe në periodën e tretë, që e kanë fituar bindshëm 11-29 dhe kryesojnë 70-79. Shumë e luftuar perioda e katërt, të cilën e fitojnë “djemtë e detit”, 27-18 dhe koha e rregull përfundon në barazim 97-97. Në kohën shtesë, Teuta tregohet më e qetë dhe e fiton atë 16-11 duke vulosur fitoren në shifrat 113-108. Kupën skuadrës durrsake ia ka dorëzuar presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, ndërsa kështu koshi shqiptar mbyll vitin 2021. Në përfundim të ndeshjes, për mikrofonin e RTSH Sport, kanë ardhur trajneri i Teutës, Melzin Lazimi, dhe kapiteni i durrsakëve, Kristi Gorea


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme