Tirana, kampionia e dyfishtë e shtangës

Kampionati Kombëtar i të rriturve në Peshëngritje, që të dielën është zhvilluar në palestrën olimpike pranë Parkut Olimpik në Tiranë, ishte një spektakël më vete. Jo vetëm Evangjelia Velia, e cila ishte dhe sportistja më e mirë e kampionatit së bashku me Tiranën, që doli kampione për femra. Por dhe Erkand Qerimaj dhe Briken Calja i dhanë të tjera ngjyra spektaklit të kampionatit. Një garë kombëtare përzgjedhëse edhe për Lojërat Mesdhetare në Oran, atje ku vetëm një mes tyre do të jetë në atë aktivitet.
150 kilogram në shkëputje Calja dhe 154 kilogram po në të njëjtin stil Qerimaj. Më pas 184 kilogram Qerimaj në shtytje, ndërsa në provën e tretë nuk ka realizuar 186 kilogram, dhe vetëm në provën e dytë Calja me 190 kilogram ia del të jetë ai kampioni i peshës 81 kilogram.
340 kilogram në dygarësh për shtërmenasin dhe 338 kilogram për shkodranin, të cilët gjithsesi mbesin miq e shokë sikurse janë deri më tani. Përfundimisht Tirana ka dominuar dhe për meshkuj në kampionat, ndërsa Briken Calja ishte sportisti më i mirë i aktivitetit për meshkuj.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




