Tirana, rikthim me fitore në “Farie Hoti”

Tirana Neptun përuron sallën sportive “Farie Hoti”, tashmë të rikonstruktuar, me fitore në derbin ndaj Partizanit. 87-70 për bardheblutë e Erkand Karajt, ndërsa atmosfera ishte jo si në një ndeshje të zakonshme kampionati. Nisur nga rivaliteti i të dy skuadrave, por dhe i tifozerive, sidomos grupimeve ultras, salla sportive “Farie Hoti” ishte marrë nën ruajtjen e forcave të rendit gati një orë përpara fillimit të ndeshjes. Ora 17:30 i gjen forcat e rendit në një gatishmëri të lartë, gjithnjë në pritje të ultrasve, teksa bëhej fjalë për “Tirona Fanatics”, sepse grupimi i ultrasve të Partizanit prej kohësh nuk vjen më në “Farie Hoti”, ndërsa një gjë e tillë ndodh me bardheblutë kur luhet në “Asllan Rusi”.
Një pakt në heshtje, që në fakt i gjen tifozeritë e të dy skuadrave ballë për ballë vetëm kur ka ndeshje futbolli. E në brendësi të sallës, teksa skuadrat bënin nxehmjen e para ndeshjes, “Tirona Fanatics” ka mbushur një nga tribunat. Flamuj të mëdhenj e nën ritmet e këngëve të tyre është bërë gati takimi, atje ku basketbollistë bardheblu kanë bërë foto duke patur tifozët nga pas. Në ndeshje deri në mesin e periodës së parë gjithçka është e barabartë 6-6. Më pas Tirana nis shkëputjen, ndërsa tre trepikësha radhazi të Strazimirit e shkëpusin skuadrën e Karajt në një diferencë prej 12 pikësh.
19-13 perioda e parë për Tiranën. 25-17 e dyta për bardheblutë, ndërsa në pushim Tirana ka kryesuar 44-30. Partizani mundohet të reagojë. 20-23 perioda e tretë për të kuqtë dhe në total 64-53. E fundit 23-17 për Tiranën, që kështu fiton derbin me 17 pikë diferencë. Një rikthim me këmbën e mbarë për bardheblutë në sallën “Farie Hoti”, që sigurisht do t’i japi nxitje për të arritur objektivat maksimal të këtij sezoni.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




