Tiranë/ Kërcënon me mjet prerës drejtuesin e taksisë dhe e grabit, shoqërohet në polici autori i dyshuar

Një ngjarje kriminale është regjistruar pasditen e sotme në aksin rrugor “Tiranë-Elbasan”, ku një shofer taksie ka rënë pre e një grabitjeje nën kërcënimin e armës së ftohtë. Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi paraprak nga Policia e Shtetit.
Sipas të dhënave zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30. Autoritetet sqaruan se “një shtetas, dyshohet se duke kanosur me mjet prerës, drejtuesin e taksisë me të cilën lëvizte në aksin rrugor “Tiranë-Elbasan”, i ka vjedhur një shumë parash dhe një varëse”.
Menjëherë pas sinjalizimit, në terren janë angazhuar forcat e rendit për ndjekjen dhe kapjen e personit të përfshirë në ngjarje.
“Si rezultat i reagimit të shpejtë të shërbimeve të Policisë, autori i dyshuar është lokalizuar, neutralizuar dhe po shoqërohet në ambientet e Policisë”, bëhet e ditur në njoftimin zyrtar.
Aktualisht, strukturat hetimore po kryejnë procedurat e nevojshme ligjore për dokumentimin e plotë të veprës penale.
Lidhur me dinamikën e detajuar dhe identitetin e personave të përfshirë, autoritetet shtuan se “në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, do të ketë njoftim të plotë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




