Tonelata mbetjesh “pushtojnë” Liqenin e Kukësit pas reshjeve, ekspertët: Situatë alarmante, duhet ndërgjegjësim kolektiv
Liqeni i Kukësit vijon të mbetet një vatër masive ndotjeje për shkak të pranisë së tonelatave mbetjeve që mbërrijnë në sipërfaqen e tij menjëherë pas reshjeve dhe shtimit të prurjeve në lumenjtë që e furnizojnë. Ekspertët e mjedisit e vlerësojnë alarmante këtë situatë.
Oljam Dervishi, inxhinier mjedisi dhe drejtor ekzekutiv i organizatës mjedisore RESU, thotë se kjo gjendje nuk është vetëm në Kukës, por një problem i përhapur në shumë zona të vendit.
“Një pjesë e madhe e lumenjve tanë janë të ndotur po njësoj. Ne kemi punuara me lumenjtë në pjesën qendrore, në basenin e Ishmit, Matit, Bunës dhe Drinit. Kjo është si një “hinkë” për mbetjet që më pas shkarkojnë në det”, tha Dervishi.
Përveç problematikave dhe ndikimit negativ në mjedis, e për rrjedhojë edhe në shëndetin e qytetarëve, pamjet janë shqetësuese edhe për imazhin e vendit, veçanërisht për ata që përballen për herë të parë me një situatë të tillë.

“Mjafton të kalosh dhe të shohësh këtë gjendje është alarmante”, tha Dervishi.
Sipas Dervishit, e gjithë kjo situatë lidhet edhe me vetëdijen qytetare.
“Vjen nga mungesa e ndërgjegjes kolektive dhe gjithsecilit prej nesh. Nëse unë hedh mbeturinat në lum, mendojë se nuk është më problemi im”, tha ai
Bashkia e Kukësit prej ditësh është angazhuar për pastrimin e sipërfaqes dhe vijës liqenore nga këto mbetje, prania e të cilave përsëritet dy deri në tre herë gjatë një viti kalendarik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




