Trafik emigrantësh- SPAK dërgon për gjykim 37 të pandehur

SPAK ka dorëzuar në GJKKO kërkesën për gjykimin e 37 të pandehurve, anëtarë të dy grupeve të strukturuara kriminale.
Këto dy grupe kriminale, përgjatë viteve 2022 dhe 2024 kanë organizuar dhe ndihmuar kalimin e paligjshëm të kufijve detarë, ajrorë dhe tokësorë, kyesisht të shtetasve shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë.
Pas hetimeve të kryera ka rezultuar se këta 37 të pandehur prodhonin dokumente të falsifikuara identifikimi, kryesisht të dokumenteve të vendeve të BE; gjetjen apo ndërmjetësimin për shtetasit shqiptarë që do të udhëtonin në Mbretërinë e Bashkuar, Kanada dhe Amerikë, mënyrën e kryerjes së pagesave dhe vlerat e paguara prej tyre; transportimin e dokumentave dhe të personave që do të udhëtonin; akomodimin dhe udhëzimin e këtyre shtetasve për itinerarin që do të ndiqnin, veprime këto të realizuara nga dy agjensi udhëtimi; përdorimin e dokumentave të falsifikuara, udhëzimin e personave se si duhet të silleshin gjatë intervistave, për t’u pajisur me vizë amerikane dhe kanadeze.
Sipas SPAK, dokumentet e identifikimit prodhoheshin në një ambient në Tiranë.
“Gjatë hetimit është dokumentuar në qytetin e Tiranës një ambient në të cilën prodhoheshin dokumenta identifikimi si pasaporta të vendeve të Bashkimit Evropian, një ambient ku janë gjetur dhe sekuestruar dokumenta të ndryshëm, të falsifikuara si edhe 37 (tridhjetë shtatë) vula të ndryshme, kryesisht të institucioneve shtetërore dhe private, përmes të cilave mundësohej falsifikimi i dokumentave të përdorura edhe gjatë aplikimeve për viza nga grupi kriminal, shumat e parave 25 mijë euro, 20 mijë paund, sende me vlerë, një ambient i përshtatur për falsifikim të dokumentave, kompjutera dhe printera që shërbenin për shitje dhe transferta të monedhave virtuale”, thuhet në njoftim.
Këta 37 të pandehur akuzohen për disa vepra penale, konkretisht: “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë; “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë; “Falsifikimi i dokumentave”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë; “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi” kriminal, parashikuar nga nenet 298/2 e 28/4; 189/1 e 28/4; 186/1 e 28/4; 333/a/1/2; 334/1 të Kodit Penal, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”; “Prodhimi i mjeteve për falsifikim të dokumentave, prodhimi apo mbajtja e mjeteve për të kryer falsifikim të dokumentave”, parashikuar nga neni 190/1 dhe 192 të Kodit Penal; “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 284/2 dhe 283/2 të Kodit Penal; si dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




