Trafik i rënduar në rrugët e Lezhës, piku i sezonit turistik rrit fluksin në akset kryesore
Muaji gusht ka rritur ndjeshëm fluksin e automjeteve në rrugët e qarkut të Lezhës, duke sjellë trafik të rënduar në akset kryesore dhe në hyrje-daljet e qytetit.
Situata më problematike paraqitet në aksin Milot–Balldren, në rrugën që lidh Lezhën me Shëngjinin, si dhe brenda qytetit të Lezhës, ku gjatë orëve të paradites krijohen kolona të gjata automjetesh dhe, në momente të caktuara, bllokime të përkohshme të qarkullimit.
Për të përballuar fluksin, shërbimet e Policisë Rrugore dhe Policisë së Rendit janë angazhuar në disa pika kyçe, duke menaxhuar trafikun dhe orientuar lëvizjen e mjeteve. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve që, kur është e mundur, të përdorin rrugët alternative për të shmangur zonat me ngarkesën më të madhe.
Rritja e qarkullimit lidhet me pikun e sezonit turistik, si edhe me kthimin e emigrantëve për pushimet verore, ndersa kjo situatë pritet të vijojë deri në javën e parë të muajit shtator.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




