Trafiku i drogës/ Zbardhen detaje nga operacioni kundër grupit kriminal, policia: Kontrolle në 12 objekte, 415 mijë euro e 7 mijë paund të sekuestruara
Policia e Shtetit ka zbardhur të tjera detaje nga operacioni që çoi në goditjen e një grupi kriminal, mes tyre disa pjesëtarë të fisit Rraja. 10 masa sigurie “arrest me burg” të ekzekutuara, 3 prej tyre për persona që janë pas hekurave.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, drejtoritë vendore të Policisë Tiranë, Durrës dhe Kukës, me Forcën e Sigurisë Kombëtare Tiranë dhe me BKH-në, nën drejtimin e SPAK-ut.
Në kuadër të operacionit “Rikthimi”, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal, për shtetasit:
Rexhep Rraja, 31 vjeç, banues në fshatin Zezë, Fushë Krujë;
Përparim Rraja, 50 vjeç, banues në fshatin Nikël, Fushë Krujë;
Gazmir Rraja, 35 vjeç, banues në fshatin Nikël, Fushë Krujë;
Agim Nina alias Lorenc Selmani, 51 vjeç, banues në Durrës;
Zamir Aliaj alias Zamir Çoku, 47 vjeç, banues në Paskuqan;
Sokol Qaja, 41 vjeç, banues në Tiranë;
Marvin Bushati alias Marvin Kopliku, 43 vjeç, banues në Tiranë;
Aldo Gjini alias Aldo Iamandi, 35 vjeç, banues në Tiranë (masa u ekzekutua në IEVP);
Jani Çavo, 50 vjeç, banues në Tiranë (masa u ekzekutua në IEVP);
Islam Sefa alias Islam Xaka, 40 vjeç, banues në Tiranë (masa u ekzekutua në IEVP).
Në kuadër të operacionit dhe në zbatim të vendimit të GjKKO-së, u kryen 12 kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera në pronësi të 10 shtetasve.
Nga këto ambiente u sekuestruan 1 armë zjarri me municion, 7 celularë, 4 automjete, 1 jelek antiplumb, 1 palë dylbi, 415 000 euro, 7 000 paund dhe 1 000 000 lekë. Gjithashtu, u bllokuan 2 armë gjahu që mbaheshin me leje.
Nga veprimet hetimore të kryera deri tani, dyshohet se këta shtetas, duke bashkëpunuar ndërmjet tyre dhe me të tjerë, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa, në shtete të BE-së, kryesisht në Gjermani.
Paratë e përfituara nga kjo veprimtari, dyshohet se janë investuar për blerjen e pasurive të paluajtshme. Materialet procedurale iu referuan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




