Tragjedi në Benevento, tre vëllezër gjenden të vrarë me armë zjarri brenda restorantit të tyre në Apice, dyshohet për vrasje dhe vetëvrasje

Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Beneventos në Itali, ku tre vëllezër janë gjetur të vrarë me armë zjarri brenda një restoranti-hotel në Apice, ambient ky që drejtohej nga vetë familja e tyre.
Sipas hetimeve paraprake të autoriteteve, dyshohet se njëri prej vëllezërve ka qëlluar për vdekje dy të tjerët dhe më pas ka kryer vetëvrasje. Në vendngjarje, Karabinierët e Kompanisë së Beneventos, të koordinuar nga prokuroria lokale, kanë gjetur trupat e pajetë të Gianni, Franco dhe Donato Licciardi-t.
Tragjedia ka ndodhur në orët e mëngjesit, para se kompleksi — një nga vendet më të njohura të zonës për organizimin e dasmave, banketeve dhe ceremonive — të hapej për drekë. Shkaqet e këtij akti ende mbeten të paqarta, ndërsa pista kryesore e hetimit lidhet me një mundësi konflikti ose grindjeje të mundshme mes anëtarëve të familjes.
Ngjarja ka lënë të tronditur mbarë zonën, ndërsa kryetari i bashkisë së Apicës, Angelo Pepe, e ka cilësuar ngjarjen si një “tragjedi e tmerrshme që ka tronditur dhe thyer zemrën e komunitetit tonë”. Në një prononcim zyrtar, ai u shpreh:
“Në këtë moment dëshpërimi dhe zhgënjimi të thellë, dëshiroj të shpreh, në emër tim, të administratës komunale dhe të gjithë qytetarëve, ngushëllimet tona më të sinqerta dhe të përzemërta familjeve të prekura nga kjo tragjedi e papranueshme.”
Kryebashkiaku shtoi se përballë përmasave të një ngjarjeje të tillë çdo fjalë duket e pamjaftueshme, duke theksuar se mbetet vetëm bashkimi në pikëllim, respekt dhe heshtje të dhembshur, si dhe sigurimi i mbështetjes së plotë institucionale e qytetare për familjen e prekur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




