Tragjedi në Kosovë/ Shpërthen bombola e gazit, humbin jetën babai me dy fëmijët

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Malishevë, ku tre persona kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në një banesë.
Lajmin e ka konfirmuar Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, i cili bëri të ditur se viktimat janë një burrë 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij, të moshës 9 dhe 12 vjeç.
“Kemi tre viktima: babai 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij të moshës 9 dhe 12 vjeç”, deklaroi Graishta.
Sipas autoriteteve, rreth orës 12:55 është raportuar për një incident zjarri në një banesë në lagjen “Mirëdita” në Malishevë. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.
Zëdhënësi i Policisë, Sheremet Elezaj, bëri të ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore, një i rritur dhe dy fëmijë, të cilët janë transportuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku është konstatuar vdekja e tyre.
Zjarri është lokalizuar nga zjarrfikësit dhe nuk raportohet për përhapje të mëtejshme apo dëme të tjera materiale.
Për rastin është njoftuar Prokuroria e Shtetit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e kësaj tragjedie.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




