Tragjike, nëna nga Kosova dhe fëmija i saj humbin jetën në një aksident në Gjermani

Një aksident tragjik ndodhi të mërkurën, 25 mars në Schramberg, në zonën e Rottweil, ku një nënë dhe fëmija i saj humbën jetën pasi u përplasën nga një kamion. Sipas mediave lokale, dy viktimat ishin shtetas nga Kosova.
Policia tha se shoferi i mjetit të rëndë dyshohet se humbi kontrollin për shkak të një problemi shëndetësor. Kamioni doli nga rruga, goditi disa makina të parkuara dhe përfundoi në trotuar, duke u përplasur më pas në murin e një banese.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09:20, kur viktimat ndodheshin në trotuar dhe u goditën për vdekje. Si pasojë e aksidentit pati edhe persona të tjerë të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë, të cilët u transportuan në spital.
Shoferi i kamionit mbeti i bllokuar në kabinë dhe u nxor nga ekipet e zjarrfikësve. Në vendngjarje ndërhynë forca të shumta emergjence, përfshirë edhe një helikopter shpëtimi, ndërsa autoritetet bënë thirrje për shmangien e zonës për të lehtësuar operacionet e ndihmës.
Hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit janë ende në vijim.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




