Transporti publik në Kukës, qyteti ende pa terminal, bashkia në fazën e studimit
Shërbimi i transportit publik mbetet ndër problemet shqetësuese në Kukës, si për udhëtarët, ashtu edhe për shoqëritë e transportit publik.
Në kushtet aktuale, stacioni i miratuar prej vitesh nga Bashkia e Kukësit nuk përmbush kushtet minimale të sigurisë, për vetë pozicionin ku ndodhet, duke përbërë një rrezik serioz për jetën e qytetarëve.
Duke e parë si problematike situatën aktuale, por edhe si domosdoshmëri të kohës, kryetari i Bashkisë, Albert Halilaj, tha se po shihet mundësia për të ndërtuar një terminal të ri, me kushte bashkëkohore, për shërbimin e transportit të udhëtarëve.
Shqetësimet për situatën aktuale të transportit publik janë ngritur prej kohësh nga shoqatat e transportit të udhëtarëve. Sadri Laçi, nga Shoqëria e Transportit të Udhëtarëve “LAÇI sh.p.k.”, thotë se jo vetëm pozicioni i papërshtatshëm i stacionit, por edhe problematikat e konkurrencës së pandershme po e cenojnë këtë shërbim.
“Stacioni i autobusëve, ku janë linjat e Durrësit, të Kukësit dhe linjat jashtë qytetit, është problematik. Aty konkurrojnë edhe taksitë. Janë bërë gati 10 taksi, me licenca dhe pa licenca 8+1. Duhet të shihet edhe numri i taksive, pasi ato duhet të punojnë me një çmim jo më pak se dyfishi, sipas ligjit.”, tha Laçi.
Një ndër vendet ku shihet si mundësi për t’u kthyer në terminal udhëtarësh është hapësira e Drejtorisë së Policisë Kufitare dhe Migracionit, pranë rrethrrotullimit në hyrje të qytetit. Për shoqëritë e transportit të udhëtarëve, distanca mes qytetit dhe terminalit krijon probleme për të funksionuar siç duhet ky shërbim.
Në Kukës operojnë disa shoqëri të transportit publik të udhëtarëve, por paralelisht operojnë edhe mjete të cilat e kryejnë këtë shërbim pa licencë të përcaktuar, duke prishur balancat e një tregu të tillë, por në një farë mënyre edhe duke shmangur detyrimet ndaj shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




