“Trialog” në RTSH, avokati Beci skanon BKH-në: Pse Joni Keta është zgjidhja e duhur

Aktualitet | 11 muaj më parë

Propozimi për Joni Ketën në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) ka hapur diskutimet edhe mbi performancën e kësaj strukture kyçe të drejtësisë së re.

Në emisionin “Trialog” në RTSH, avokati dhe ish-prokurori Eugen Beci ka bërë një analizë kritike të mënyrës se si ka funksionuar BKH deri më sot, duke nxjerrë në pah edhe raste të arrogancës dhe mungesës së profesionalizmit.

Në panelin e drejtuar nga Alba Alishani, ku ishin të pranishëm edhe analistët Preç Zogaj, Lorenc Vangjeli dhe Arion Sulo, Beci theksoi se mungesa e përvojës ka cenuar shpesh hetimet.

Sipas Becit, marrëdhënia mes oficerëve të BKH-së dhe prokurorëve të SPAK-ut jo gjithmonë ka qenë harmonike, për shkak të sjelljes së hetuesve.

“Në hetimet penale u vunë re raste arrogance që cënuan edhe punën e prokurorëve të SPAK-ut. Ka pasur raste që disa oficerë të BKH-së kanë devijuar nga objekti kryesor i hetimit,”, u shpreh Beci.

Ai shkoi më tej duke nënvizuar probleme serioze procedurale gjatë marrjes në pyetje: “Ka pasur probleme që kur janë pyetur dëshmitarë janë intimiduar, ka pasur arrogancë për mënyrën se si kryeheshin veprimet hetimore.”

Joni Keta, profili i duhur për të ndryshuar kursin

Përballë problemeve të menaxhimit të mëparshëm, Beci e sheh emrin e Joni Ketës si garanci për rikthimin e profesionalizmit. Ai vlerësoi faktin se Keta vjen nga radhët e oficerëve të karrierës së Policisë Gjyqësore dhe jo nga jashtë sistemit.

“Joni Keta është një kandidaturë që vjen nga një përvojë e gjatë si oficer i policisë gjyqësore. Ai ka shfaqur integritet dhe do të përcjellë përvojën e punës së tij te këta hetues, që shumë prej tyre janë të rinj. Besoj se Keta do ta eliminojë këtë problematikë,”, analizoi avokati.

Joni Keta është përzgjedhur nga Komisioni i Përzgjedhjes pranë SPAK dhe emri i tij i është dërguar Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Sipas Becit, votimi në KLP pritet të jetë formalitet, pasi peshën kryesore e ka përzgjedhja nga vetë struktura e posaçme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme