Tropojë/ Punëtori humbi jetën nga kontakti me energjinë elektrike, në pranga drejtori dhe drejtuesi teknik

Dy drejtues të Bashkisë së Tropojës janë ndaluar nga Policia pas aksidentit të rëndë në punë, ku një punonjës humbi jetën dhe tre të tjerë u dëmtuan pasi ranë në kontakt me rrymën elektrike. Ngjarja ndodhi një ditë më parë (8 shtator) në rrugën e Dobravës, pranë fshatit Bujan, ku katër punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë po kryenin punime për vendosjen e një shtylle ndriçimi.
Për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë kanë ndaluar N. Gj., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, si dhe G. H., 60 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i punimeve. Të dy janë banues në Bajram Curri.
Nga hetimet paraprake dyshohet se katër punonjësit po mbanin një shtyllë ndriçimi, me qëllim vendosjen e saj në bazament. Gjatë procesit, ata kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat elektrikë, duke përcjellë rrymën te punonjësit. Si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike, humbi jetën punonjësi M. S., ndërsa tre të tjerë, shtetasit A. D., I. D. dhe A. A., u dëmtuan. Tre punonjësit e dëmtuar u transportuan për marrjen e ndihmës mjekësore dhe, sipas të dhënave paraprake, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i plotë:
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me ngjarjen e djeshme, në rrugën e Dobravës, ku humbi jetën një punonjës i Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë, dhe u dëmtuan 3 të tjerë. Ndalohen për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, Drejtori i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit dhe drejtuesi teknik i punimeve.
Në vijim të këtyre veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur me qëllim sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive të lidhura me rastin e ndodhur më datë 08.09.2026, rreth orës 10:00, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, ku 4 punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë ranë në kontakt me rrymën elektrike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë ndaluan për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:
-N. Gj., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, dhe G. H., 60 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i punimeve, të dy banues në Bajram Curri.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 4 punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë, të cilët po mbanin një shtyllë për ndriçim, për ta vendosur në bazament, kanë humbur ekuilibrin dhe për pasojë shtylla ka prekur telat dhe e ka përcjellë rrymën te 4 shtetasit. Nga kjo ngjarje, humbi jetën shtetasi M. S. dhe u dëmtuan shtetasit A. D., I. D. dhe A. A., të cilët u transportuan për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




