Trump: 5 miliardë dollarë për Gazën – Presidenti amerikan njofton planet e “Bordit të Paqes” dhe fundin e konfliktit

Amerikë | 8 muaj më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar hapa të rëndësishëm drejt paqes në Lindjen e Mesme përmes një statusi në platformën e tij. Kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri me dije se nisma e tij “Bordi i Paqes” ka një potencial të jashtëzakonshëm për të mbyllur përfundimisht konfliktin në Gaza.

Trump rikujtoi se plani i tij u miratua unanimisht nga Këshilli i Sigurimit në Kombet e Bashkuara që vitin e kaluar. “Vizioni ynë solli ndihmë humanitare rekord dhe mundësoi lirimin e çdo pengu,” theksoi Presidenti në mesazhin e tij. Ai njoftoi se më 19 shkurt do të mbledhë në Uashington anëtarët e këtij bordi për të prezantuar shifra konkrete.

Plot 5 miliardë dollarë janë premtuar nga shtetet anëtare për rindërtimin e Gazës dhe ndihmën ndaj civilëve. Veç parave, plani parashikon angazhimin e mijëra forcave ndërkombëtare për të garantuar sigurinë në terren. Trump dha edhe një paralajmërim të prerë për Hamasin, duke kërkuar çmilitarizim të plotë dhe të menjëhershëm.

Sipas tij, ky organizëm do të hyjë në histori si trupi ndërkombëtar me ndikimin më të madh në botë. “Eshtë nderi im të shërbej si kryetar i këtij Bordi që synon paqen botërore,” u shpreh ai me optimizëm.

Tashmë e gjithë vëmendja është kthyer nga takimi i javës së ardhshme në Institutin e Paqes në SHBA, ndërsa lëvizja e Trumpit shihet si një përpjekje e guximshme për të vendosur një rend të ri në rajonet në konflikt.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme