Trump ashpërson tonet ndaj Iranit: Pyetja është se kur do ta hedh në erë të gjithë. Teherani paralajmëron: Çdo gabim do të ketë pasoja

Donald Trump ka lëshuar kërcënime të reja ndaj Iranit, ndërsa tensionet mes dy vendeve vijojnë të përshkallëzohen dhe raportimet për sulme të mundshme të reja amerikane ndaj Teheranit po shtohen.
Në një intervistë për Fox News, presidenti amerikan përsëriti se, sipas tij, në tryezë janë tre mundësi: eliminimi i Iranit, shkatërrimi i tij ekonomik ose arritja e një marrëveshjeje.
“Pyetja është se kur dhe nëse do ta hedh në erë të gjithë Iranin”, tha Trump, duke shtuar se “do të ishte më mirë nëse ata do të bindeshin”.
Megjithatë, pavarësisht toneve kërcënuese, Trump tha se mbetet i hapur për një takim me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që zhvillohet këtë javë.
Presidenti amerikan komentoi gjithashtu situatën brenda udhëheqjes iraniane, duke deklaruar se “disa zyrtarë iranianë po fshihen si minjtë” dhe se është e vështirë të gjendet dikush që të jetë në gjendje të negociojë një marrëveshje.
Në të njëjtën kohë, Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë në kontakt të vazhdueshëm me Huthit dhe se palët kanë rënë dakord të mos përfshihen në luftime me njëra-tjetrën.
Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur mediat iraniane raportojnë se Teherani ka marrë informacion se Shtetet e Bashkuara po përgatiten për sulme të reja.
Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se çdo sulm amerikan do të pasohet nga një përgjigje ushtarake.
Komanda qendrore ushtarake iraniane ka deklaruar se çdo sulm i SHBA-së do të sillte hakmarrje “pa asnjë kufizim ose hezitim” ndaj bazave dhe interesave amerikane në Lindjen e Mesme.
“Çdo gabim do të rezultojë në goditje të dhimbshme”, thuhet në deklaratën e selisë ushtarake iraniane “Khatam al-Anbiya”, të transmetuar nga mediat zyrtare.
Në deklaratë, autoritetet iraniane pretendojnë se Shtetet e Bashkuara, me mbështetjen e disa vendeve të rajonit, po përgatiten të ndërmarrin sërish veprime kundër Republikës Islamike të Iranit.
Sipas Teheranit, këto vendime janë marrë pas një takimi të përbashkët të zhvilluar në një vend evropian. Autoritetet iraniane e lidhin gjithashtu përshkallëzimin e situatës me atë që e konsiderojnë si “dështime” amerikane dhe me mbështetjen e Izraelit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




