Trump dhe Xi Jinping takohen këtë javë, tregtia dhe Tajvani në fokus të samitit

Udhëheqësit e dy superfuqive botërore, SHBA-së dhe Kinës, pritet të takohen këtë javë në një samit që synim ka ndërtimin e qëndrueshmërisë strategjike dhe adresimin e ndasive.
Presidenti kinez Xi Jinping do të mbërrijë të mërkurën në SHBA, ku, sipas Ministrisë së Jashtme kineze, do të ketë një shkëmbim të thellë këndvështrimesh me homologun amerikan Donald Trump për çështje madhore në lidhje me marrëdhëniet mes dy vendeve, zhvillimin dhe paqen në botë.
Xi do të pritet nga Trump në bazën ajrore Andrews, para takimit zyrtar që do të mbahet të enjten. Kur shkoi në Pekin në maj të këtij viti, presidenti amerikan u prit në aeroport nga zëvendëspresidenti kinez.
“Do të diskutoj gati çdo gjë me të”, u shpreh Trump.
Lufta tregtare mes dy vendeve është shqetësim kryesor, së bashku me rrezikun për përballje ushtarake lidhur me ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit. Prej gati një viti, dy palët kanë mbajtur një armëpushim përsa i përket tarifave, por ende nuk kanë arritur një marrëveshje afatgjatë.
Zëvendëskryeministri kinez, që është kryenegociator për vendin e tij në lidhje me çështjet tregtare, është ndërkohë në SHBA, ku u takua me sekretarin amerikan të Thesarit, Scott Bessent, dhe, ndër të tjera, biseduan për krijimin e një kanali komunikimi për shqetësime që kanë lidhje me inteligjencën artificiale.
Lufta e SHBA-së ndaj Iranit gjithashtu është çështje për t’u diskutuar, pasi Kina po përpiqet të shmangë sanksionet amerikane ndaj vendeve që kanë marrëdhënie me Teheranin, pavarësisht raportimeve se Pekini furnizoi Iranin me informacione të inteligjencës për një sulm ndaj trupave amerikane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




